UBT News

Si ndodhi ngatërrimi i kufomave dhe varrosja e personit të gabuar në Prizren

Ditën e parë e kishin marrë kufomën e gabuar në Klinikën Infektive në Prishtinë. Të njëjtën e kishin dërguar në Prizren tek një familje që kishte humbur më të dashurin e tyre. Ata sipas riteve fetare e kishin varrosur viktimën, duke mos e ditur se nuk ishte familjari i tyre. Dy personat që e kishin tërhequr gabimisht kufomën nga Klinika Infektive e kishin kuptuar ndërkohë gabimin dhe kishin shkuar sërish në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe e kishin tërhequr trupin tjetër të pajetë që i përkiste familjes nga Prizreni dhe e kishin varrosur vetë atë, pa dijeninë e familjes, teksa e kishin zhvarrosur trupin e pajetë të mbuluar me dhe një ditë më parë. 

Kjo ngjarje e trishtueshme ka shtyrë Prokurorinë që pas hetimeve të kërkojë paraburgim “për dy persona për dëmtim të varreve dhe kufomave”.

Kështu, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren ndaj të pandehurve E.R., dhe M.N., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale)  me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K”. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K”.

“Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”.

“Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K”.

“E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë”.

“Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë hetuesit dhe policia kanë qëndruar gjatë ditës në Klinikën Infektive në kërkim të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje./UBTNEWS

Exit mobile version