UBT News

Si ndikon moti i ftohtë në presionin e gjakut?

Me ardhjen e ditëve më të ftohta, shumë njerëz po pyesin si temperaturat e ulëta ndikojnë në shëndetin, e veçanërisht në presionin e gjakut.

I ftohti mund të shkaktojë rritje të presionit të gjakut, gjë që rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe në tru. Lajmi i mirë është se ka hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni për të mbrojtur shëndetin e mbajtur presionin e gjakut të qëndrueshëm edhe gjatë muajve më të ftohtë.

Kur temperaturat bien, trupi përshtatet me ndryshimet për të ruajtur nxehtësinë. Kjo përfshin ngushtimin e enëve të gjakut, gjë që pengon qarkullimin e gjakut dhe rrit presionin e gjakut.

“Në dimër, shumë pacientë vërejnë një rritje të presionit të gjakut sepse i ftohti shkakton ngushtimin e enëve të gjakut, gjë që rrit rezistencën ndaj rrjedhjes së gjakut”, shpjegon mjeku Martin Thornton për Independent.

I ftohti stimulon lirimin e hormoneve të stresit, si adrenalina, që rrit presionin e gjakut e përshpejton rrahjet e zemrës. Ditët më të shkurtra dhe më pak dritë e ditës mund të ndikojnë gjithashtu në disponimin dhe nivelet e stresit, të cilat indirekt ndikojnë në presionin e gjakut.

“Në dimër, njerëzit lëvizin më pak, arrijnë më shpesh tek ushqimet me kalori të lartë dhe ushtrojnë më rrallë, gjë që mund të kontribuojë në presionin e lartë të gjakut”, shton Thornton.

Presioni i lartë i gjakut quhet “vrasësi i heshtur”, nuk shfaq simptoma të dukshme. Në disa raste shfaqen dhimbje koke të shpeshta, turbullim i shikimit dhe dhimbje gjoksi. Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, sigurohuni që të konsultoheni me një mjek.

Si ta mbani presionin e gjakut të qëndrueshëm gjatë dimrit?

Qëndroni aktiv në ambiente të mbyllura – Aktiviteti i tepërt fizik gjatë të ftohtit ushtron tendosje shtesë në zemër. Në vend të kësaj, provoni ushtrime si joga ose Pilates, të cilat mund t’i bëni në shtëpi.

Matni rregullisht tensionin e gjakut – Nëse keni hipertension ose jeni në rrezik, monitorimi i rregullt parandalon komplikime serioze.

Hani siç duhet – Shmangni ushqimet e pasura me kripë dhe yndyra të ngopura e zgjidhni ushqime të balancuara që ndihmojnë në parandalimin e rritjes së presionit të gjakut.

Menaxhoni stresin – Teknikat e relaksimit, si meditimi ose ushtrimet e frymëmarrjes, mund të ndihmojnë në uljen e stresit, i cili ka një efekt pozitiv në presionin e gjakut.

Ngrohni ambientet – Mbajtja e ngrohtë e shtëpisë ndihmon qarkullimin e zvogëlon rrezikun e rritjes së presionit të gjakut. /UBT News/

Exit mobile version