Kurioziteti, dyshimi dhe fantazia, janë tri vetitë më të gjalla të fëmijërisë dhe adoleshencës.
Kurioziteti e nxit fëmijën të njohë dhe zbulojë gjërat që e rrethojnë. E nxit fëmijën të flasë si mami dhe babi.
Dyshimi, është tharma e çdo aktiviteti kritik, e nxit fëmijën të verifikojë atë që ka mësuar, që di dhe thotë, të përsërisë fjalën dhe veprimin, për t’u siguruar që e di saktë apo ka nevojë për përmirësim dhe korigjim.
Fantazia është “magneti” që e tërheq fëmijën, adoleshentin, njeriun, në çdo kohë e në çdo moshë, drejt së panjohurës, dijes dhe të ardhmes.
Kombinimi dhe gërshetimi i këtyre tre vetive, “ndërton” motorin dhe çelësin e vënies në punë të mendjes, të inteligjencës, për të zbuluar e njohur veten dhe universin. Është kjo “treshe” që nxit, zhvillon dhe fuqizon vetëdijen dhe krijon procesin psikik të të menduarit.
Edhe institucioni shkollë, te kjo “treshe” e ka zanafillën dhe të ardhmen, si e ka përdorur dhe do ta përdorë këtë “treshe”.