UBT News

Si mund të shmanget një krizë tjetër ushqimore globale?

Ngozi Okonjo–Iweala nga “Project Syndicate”

Lufta në Ukrainë po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Ne në Organizatën Botërore të Tregtisë, një institucion i bazuar në sundimin e ligjit dhe i krijuar për të ndihmuar në krijimin e paqes, e shohim dhunën si diçka të urryer për parimet tona themelore.

Ndaj i bëjmë jehonë thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara António Guterres për ndalimin sa më parë të gjakderdhjes, dhe dëshirojmë një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të konfliktit.

Por, edhe pse mbetemi të tronditur nga imazhet tronditëse dhe tragjike të qyteteve të Ukrainës që ndodhen nën sulm, dhe ndonëse angazhohemi të bëjmë gjithçka që mundemi individualisht dhe kolektivisht për të ndihmuar popullin e Ukrainës, po bëhet gjithashtu e qartë se pasojat ekonomike dhe humanitare të luftës do të ndihen shumë përtej Evropës. Dhe ne kemi përgjegjësinë për t’i zbutur këto pasoja në mënyrë pro–aktive.

Edhe para luftës, rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë i kishte varfëruar shumë buxhetet e familjeve dhe të qeverive në shumë vende më të vogla dhe më të varfra, ekonomitë e të cilave kishin qenë gjithashtu ndër më të ngadaltat në rimëkëmbjen nga pasojat e shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

Rritjet e reja të çmimeve të shkaktuara nga konflikti në Evropën Lindore, kërcënojnë tani të shkaktojnë një rritje të re të varfërisë dhe pasigurisë ushqimore. Në këto rrethana, roli i OBT-së dhe i tregtisë në përgjithësi, sidomos për vendet që janë importuese neto të ushqimeve, është i një rëndësie të madhe në parandalimin e urisë.

Ndërsa Ukraina dhe Rusia përbëjnë së bashku vetëm 2.2 për qind të tregtisë globale të mallrave, sipas vlerësimeve të OBT-së, kjo shifër nënvlerëson rëndësinë e tyre në tregjet e drithërave dhe energjisë, por edhe si furnizues të plehrave kimikë, mineraleve dhe lëndës së parë kritike për një gamë të madhe produktesh për të cilat kanë nevojë shumë sektorë prodhues.

Për shembull në vitin 2020, të dyja vendet furnizuan 24 për qind të grurit të tregtuar në nivel global dhe 73 për qind të vajit të lulediellit. Importet e këtyre mallrave janë thelbësore për sigurinë ushqimore bazë në shumë vende ku u mungojnë kushtet e ujit, tokës dhe motit për të kultivuar të gjithë ushqimin që u nevojitet.

Gjatë 30 viteve të fundit, Ukraina dhe Rusia janë bërë burime kryesore të drithit për shumë vende, përfshirë Mongolinë, Sri Lankën, Libanin, Egjiptin, Malavinë, Namibinë dhe Tanzaninë. Programi Botëror i Ushqimit, agjencia e OKB-së që ofron ndihma ushqimore për njerëzit e prekur nga konfliktet dhe fatkeqësitë në më shumë se 80 vende, e blen zakonisht më shumë se gjysmën e grurit të saj nga Ukraina.

Bllokimi i porteve të Ukrainës nga lufta dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë, e kanë ulur ndjeshëm vëllimin global të grurit në dispozicion. Frika se fermerët ukrainas do të pengohen të kultivojnë këtë vit të korrat pranverore, kanë shtuar shqetësimet për furnizimin, duke bërë që çmimi i grurit të rritet deri në 40 për qind, dhe të arrijë nivele rekord që në javën e parë të këtij muaji.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ka nisur që të nxisë përgjigje të njohura nëpërmjet politikave. Disa qeveri po i kufizojnë eksportet e drithërave dhe produkteve të tjera kryesore ushqimore, në një përpjekje për të ruajtur furnizimet e brendshme dhe për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Numri në rritje i ankesave në OBT nga eksportuesit në disa vende dhe organizma, nënvizon qartë përmasat e këtij problemi. Kontrolle të tilla mbi eksportet, mund të shkaktojnë një spirale të rritjes së çmimeve dhe kufizime të reja.

Banka Botërore vlerëson se 40 për qind e rritjes së çmimeve globale të grurit gjatë krizës së fundit të çmimeve të ushqimit në vitet 2010-2011, u shkaktua nga përpjekjet e qeverive për të izoluar tregjet e brendshme. Por bota ka mundësi që t’i zbusë këto rreziqe.

Përvoja na tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar, mund të ndihmojë në menaxhimin e efekteve të dëmshme të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Gjatë dekadës së fundit, ndarja e informacionit rreth furnizimeve dhe rezervave ushqimore përmes Sistemit të Informacionit të Tregut Bujqësor u ka dhënë mundësi eksportuesve dhe importuesve kryesorë që të parandalojnë panikun dhe garantimin e funksionimit pa probleme të tregjeve.

Me sistemin global të tregtisë që tashmë e ka të vështirë të përballet me kostot e larta të transportit dhe portet e mbipopulluara, një koordinimi më i ngushtë midis vendeve, mund të ndihmojë në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare për ushqim, energji dhe mallra, dhe në minimizimin e ndërprerjeve shtesë në zinxhirët e furnizimit.

Më e rëndësishmja: funksioni i monitorimit dhe transparencës i OBT-së mund të ndihmojë në sigurimin që zinxhirët e furnizimit me ushqim dhe bujqësi të mos preken drejtpërdrejt nga sanksionet, duke mbetur të hapura dhe duke funksionuar me efikasitet.

Një vizibiliteti më i mirë në lidhje me ndërprerjen e tregut, do t’i jepte mundësi komunitetit ndërkombëtar që të identifikojë dhe mobilizojë ndihma financiare dhe të formave të tjera për vendet e varfra të prekura shumë rëndë nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Dhe kjo është veçanërisht emergjente, pasi edhe përpara luftës në Ukrainë, rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë kishte lënë prapa të tjerëve një pjesë të madhe të botës. Rritja ekonomike në vendet më të varfra, ishte shumë larg prirjeve të para vitit 2020, duke reflektuar kapacitetin e tyre të dobët fiskal dhe qasjen e pabarabartë ndaj vaksinave kundër Covid-19.

Ndërsa bota po sheh tragjedinë që po ndodhë në Ukrainë, ne të gjithë duhet të përqendrohemi urgjentisht mbi mënyrat se si mund ta mbështesim popullin ukrainas. Dhe është e natyrshme dhe e përshtatshme që qeveritë të përqendrohen edhe në adresimin e problemeve në ekonomitë e tyre.

Por ne gjithashtu duhet të veprojmë që tani për t’u siguruar që disa nga njerëzit më të varfër dhe më të cënueshëm në botë – larg konfliktit dhe që nuk shfaqen në titujt kryesorë të lajmeve – të mos bëhen dëmi anësor i kësaj lufte.

Shënim: Ngozi Okonjo–Iweala, drejtore e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë, ish-Ministre e Financave në Nigeri./bota.al

Exit mobile version