Filmi dokumentar nga Kosova “Si e verdhë e sëmurë”, i regjisores Norika Sefa, është shpallur filmi më i mirë i shkurtër në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar “Beldocs” në Beograd të Serbisë. Filmi shfaqi premierën e tij në Festivalin e Roterdamit këtë janar dhe që atëherë ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe publikut.
“Si e verdhë e sëmurë” është një vepër e veçantë që përdor materiale arkivore nga videokasetat e tregimeve familjare që tashmë nuk ekzistojnë më. Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku kufijtë mes realitetit dhe kujtimeve shkrihen, duke bërë që hapësira e jetës të shndërrohet në një skenë dhe rutina të përjetohen si performancë.
Lajmin për këtë arritje të madhe e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka mbështetur realizimin e këtij filmi. Filmi është prodhuar nga shtëpia filmike CMB, me producent Mentor Shalën dhe bashkëproducentë Besnik Krapin dhe Norika Sefën.
Ky sukses në “Beldocs” është një arritje e rëndësishme për kinematografinë kosovare, duke treguar potencialin dhe talentin e artistëve nga Kosova në arenën ndërkombëtare të filmit./UBTNews/