Pandemia e Covid-19 nuk ka përfunduar ende. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur vitet e fundit. Po çfarë do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme?
Ekspertët e Këshillit Ndërkombëtar të Shkencës (ISC), një organizatë që bashkon mbi 200 shoqata shkencore ndërkombëtare, sugjerojnë në një raport të ri se pandemia mund të zgjasë edhe 5 vjet të tjera.
Se si do të evoluojë kjo krizë e vazhdueshme globale e shëndetit publik, kjo do të varet përfundimisht nga ne të gjithë. Kjo është arsyeja pse shkencëtarët, një grupim prej 20 ekspertësh mbi shëndetin publik, virologjinë, ekonominë, etikën, shkencat e sjelljes dhe sociologjinë, kanë përshkruar në raportin e tyre të ri 3 skenarë të mundshëm të pandemisë, që mund të ndodhin deri në vitin 2027.
Synimi është të ofrohet mundësia e ndërmarrjes së disa veprimeve, për të minimizuar ndikimin e ardhshëm të pandemisë. Skenari i parë i mundshëm, është ai më optimisti. Nëse gjatë viteve të ardhshme përqindja e njerëzve të vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 do të rritet globalisht nga rreth 60 për qind aktualisht në mbi 80 për qind, mund të shpëtohen jo vetëm shumë jetë, por mund të reduktohet edhe rreziku i varianteve të reja të koronavirusit. Rrjedhimisht, mund të ketë përfitime të konsiderueshme edhe për aspekte të tjera, si shëndeti mendor, ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Megjithatë, siç e theksojnë autorët e raportit, koronavirusi nuk do të zhduket plotësisht. Por përhapja e tij do të jetë shumë më e menaxhueshme.
Në skenarin e dytë, shkencëtarët fokusohen tek fakti se deri tani qeveritë e kanë “zgjatur” pandeminë, duke u fokusuar kryesisht tek strategjitë kombëtare, dhe jo tek bashkëpunimi ndërkombëtar. Për këtë arsye, nëse vazhdon kjo tendencë, rezultati më i mundshëm është që përqindjet e vaksinimit të mbeten nën 70 për qind.
Dhe nëse ato nuk rriten, atëherë koronavirusi i ri mund të bëhet endemik, dhe valët kulmoresezonale do t’i mbingarkojnë spitalet në disa vende, dhe do të kërkonin vaksina të përditësuara si dhe përdorimin e barnave antivirale.
Pra deri në vitin 2027, mund të shohim një përkeqësim të pabarazive globale, me vendet me të ardhura të ulëta që do të përballen me kolapsin e sistemit shëndetësor dhe të sigurisë ushqimore. Në skenarin e tretë dhe të fundit të pandemisë, më i keqi, autorët shprehin shqetësimin e tyre për nacionalizmin dhe populizmin gjithnjë në rritje.
Në këtë rast, besimi midis qeverive dhe qytetarëve mund të përkeqësohet më tej, duke e zvogëluar rrjedhimisht normën e vaksinimeve dhe duke e penguar bashkëpunimin ndërkombëtar. Në këtë skenar, më pak se 60 për qind e popullsisë së botës do të vaksinohej plotësisht kundër Covid-19, dhe vendet me të ardhura të ulëta do të kishin qasje të kufizuar tek dozat fillestare dhe ilaçe antivirale.
“Rrjedhimisht, koronavirusi do të mbetej i pakontrolluar, me valë goditëse serioze në disa pjesë të botës”– thuhet në raport. Po çfarë mund të bëhet? Për të shmangur skenarin e fundit, ekspertët u bëjnë thirrje qeverive të bashkëpunojnë, të investojnë në sistemet shëndetësore,dhe t’i rezistojnë tundimit për të reduktuar objektivat në kuadër të ndaljes së ndryshimeve klimatike në funksion të përfitimeve afatshkurtra. Në fakt, ka të ngjarë që avancimi i ndryshimeve klimatike t’i bëjë edhe më të mundshme pandemitë e ardhshme./bota.al