Federata Evropiane e Taekwondos ka pezulluar për gjashtë muaj trajnerin nga Kosova, Valmir Fetiu, për shkak se ka ushtruar dhunë ndaj sportistes që e ka trajnuar.
Kështu, atij i janë ndaluar të gjitha garat kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë periudhë kohore.
Incidenti ka ndodhur përgjatë fundjavës në garat evropiane që janë mbajtur në Tiranë.
Vetë Fetiu e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë masën e marrë ndaj tij, dhe e ka konsideruar të drejtë.
“Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrejtë për mua”, ka thënë ai, duke iu referuar sportistes.
Ai ka pretenduar se nuk e ka rrahur sportisten, se vetëm ka tentuar ta qetësojë, ndonëse në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, ai shihet duke e goditur në fytyrë.
Ai ka paralajmëruar që do të takohet gjatë ditës edhe me bordin e Federatës së Taekwondos së Kosovës për të diskutuar incidentin.
Federata e Kosovës nuk ka qenë e qasshme në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për koment.
Pamjet janë dënuar ashpër në platformat sociale dhe dhuna e parë është konsideruar e patolerueshme./REL/