UBT News

Shuma që duhet të paguajnë Milani dhe Interi për të blerë ‘San Siron’

Zyra italiane e taksave ka vlerësuar “Stadio Meazza” dhe zonën përreth tij në 200 milionë euro, shumën që Milani dhe Interi do të duhet të ndajnë nëse duan të blejnë stadiumin legjendar. Sipas “Gazzetta dello Sport”, informacioni zyrtar pritet të dërgohet klubet milaneze deri në fund të këtij muaji ose fillimin e nëntorit.

Bashkia e Milanos është pronarja e stadiumit dhe e tokës përreth. Vlera e vendosur nuk është negociable, pasi ajo është një vlerësim zyrtar nga autoritetet.

Ndërsa as Milani dhe as Interi nuk kanë bërë një reagim zyrtar, duket se Interi është më i hapur për blerjen e “San Siros” krahasuar me Milanin. Kuqezinjtë kanë investuar tashmë 40 milionë euro për një zonë në San Donato, që është opsioni i tyre kryesor për ndërtimin e një stadiumi të ri në pronësi të klubit.

Një aspekt tjetër që duhet marrë parasysh është se blerja e “San Siros” do të kërkojë investime të mëtejshme për rinovim, dhe është e paqartë nëse do të mund të anashkalohen ligjet që mbrojnë monumentet historike, duke e bërë rinovimin një sfidë të madhe.

Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, e theksoi këtë duke kujtuar se “Wembley u shkatërrua gjithashtu dhe ishte më ikonik se San Siro.”/UBTNews/

 

 

Exit mobile version