Seanca fillestare në rastin e Masakrës së Mejës, ku 53 persona akuzohen për krime lufte ndaj popullsisë civile, është shtyrë meqë në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm tre avokatë mbrojtës.
Trupi gjykues konstatoi se në mungesë të avokatëve Valon Hasani, Uresa Restelica dhe Laur Prenaj nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës.
“Nuk jemi në kushte me proceduar tutje. Planifikoj që seanca e ardhshme të jetë më 25 shtator, ora 08:30”, deklaroi gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
Gjykimi për këtë rast po zhvillohet në mungesë, ku të akuzuarit përfaqësohen përmes mbrojtësve të tyre ligjorë. Aktakuza e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024 ngarkon 53 persona, me në krye Momir Stojanoviqin, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës. Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, Sreten Çamoviq, Verolub Zhivkoviq, Illija Todorov dhe Dragan Zhivanoviq.
Sipas aktakuzës, gjatë datave 27-29 prill 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndërmorën një operacion ku kryen vrasje masive të civilëve, dëbim të popullsisë, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë në disa fshatra të Gjakovës. Vetëm në fshatin Mejë u vranë 270 civilë shqiptarë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur.
Seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës është caktuar të mbahet më 25 shtator, në ora 08:30.
