Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte në Burim të Malishevës, Ramadan Morina, pas kërkesës së avokatit të tij, Arianit Koci.
Prokurori i rastit, Armend Zenelaj, ka kundërshtuar shtyrjen, duke theksuar se Gjykata e kishte obliguar PSRK-në të pajiset me deklaratën e dëshmitares anonime D1.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Morina dyshohet se gjatë viteve 1998–1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime dhe keqtrajtime fizike në fshatin Burim të Malishevës.
Në aktakuzë thuhet se 35 burra civilë shqiptarë janë ndarë nga gratë dhe fëmijët, janë rreshtuar me forcë, ndërsa më pas një pjesëtar i forcave serbe ka shtënë me armë, duke vrarë 34 civilë.
I akuzuari është arrestuar në gusht të vitit të kaluar në Prishtinë për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Gjatë seancës, avokati Arianit Koci ka ngritur shqetësim edhe për një gabim në dokumentacion, ku ai dhe i pandehuri janë cilësuar si serb, çështje që ka nxitur debat në sallën e gjyqit. Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, e ka cilësuar këtë si gabim teknik.
Trupi gjykues ka vendosur shtyrjen e seancës, ndërsa seancat e radhës janë caktuar për muajt shtator dhe tetor.
Burimi: KOHA
/A.K/
