UBT News

Shtyhet seanca ndaj Adnon Jasharit për vrasjen e Diana Kastratit

Seanca gjyqësore në mungesë ndaj të akuzuarit Adnon Jashari, i cili ngarkohet me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Diana Kastrati, është shtyrë për më 23 dhjetor pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku.

Mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për të pasur qasje të plotë në dosje, duke pretenduar se kjo e drejtë i është mohuar nga organet e ndjekjes që nga viti 2011, përkundër deponimit të autorizimit.

Gjatë seancës, avokati Millaku reagoi ashpër ndaj mënyrës se si është zhvilluar procedura deri më tani:

“Autorizimin si mbrojtës i të pandehurit Adnan Jashari e kam dorëzuar në procedurën paraprake dhe këtë në kohën kur i njëjti kërkohej që të kontaktojë me policinë hetimore. Autorizimi im është i deponuar që nga fillimi, në 48-orëshin e parë, që i bie nga viti 2011 organet e ndjekjes kanë pasur adresën e mbrojtësit të tij për të përfaqësuar tani të akuzuarin në mungesë për plotësimin e parakushteve ligjore për një hetim të rregullt, të drejtë e të ligjshëm. Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”.

Pas pranimit të kërkesës nga trupi gjykues për kompletimin e dokumentacionit mbrojtës, shqyrtimi kryesor ndaj Jasharit pritet të vazhdojë në muajin dhjetor. /Ekonomia online/

 

Exit mobile version