Vazhdimi i seancës së Kuvendit me tri pika të rendit të ditës, ndër të cilat ishte edhe shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Nënkryetari i Kuvendit, Aridan Gola, deklaroi se shtyrja e seancës erdhi pas “diskutimeve të ngjeshura” mes shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve politikë të këtyre grupeve.
Para orës 10:00, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa të dy u panë duke diskutuar edhe para nisjes së planifikuar të seancës. Pas takimit, Çitaku tha se nuk ka dallime për përmbajtjen e Ligjit, por vetëm për çështje procedurale.
Në rendin e ditës të kësaj seance, krahas rishqyrtimit të Ligjit që synon t’ia kufizojë mandatin Speciales, ishin paraparë edhe votimi i propozimrezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, si dhe votimi i propozimrezolutës nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë. /E.A/
