Me kërkesën e mbrojtjes, është shtyrë seanca fillestare ndaj zyrtares së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Albina Nura e cila po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.
Kjo seancë është shtyrë pasi që mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Kujtim Kërveshi ka thënë se shumica e provave të dorëzuara nga prokuroria janë në gjuhë angleze dhe serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë shkresat i kam marrë para dy jave në formë elektronike, Shumica prej tyre nuk janë të përkthyera në gjuhën zyrtare shqipe në Kosovë. Ne sot jemi ardh, edhe pse jemi ftuar para dy ditësh për këtë seancë, ne jemi ardh me qëllimin që ta ekspedojmë që ta obligojmë prokurorinë që të na jep provat në gjuhën shqipe. Kemi vërejtë se një pjesë e madhe e tyre, më shumë se 70% janë anglisht”, tha avokati Kërveshi.
Andaj, i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të obligohet prokuroria ta pajisë mbrojtjen me shkresat e përkthyera në gjuhën shqipe.
Lidhur me këtë, prokurori special Naim Abazi ka thënë se shkresat janë të përkthyera në gjuhën shqipe, mirëpo sipas tij, nëse ka ndodhur që ndonjëra nga shkresat nuk është përkthyer, ai i ka kërkuar kohë gjykatës për përkthimin e të njëjtave.
Avokati Kërveshi tha se do të përgatitë një listë për prokurorinë, me shkresat të cilat sipas tij nuk janë të përkthyera. Kështu, gjykatësja Albina Shabani-Rama, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e seancës.
Sipas gjykatëses, pasi që prokuroria të njoftojë gjykatën se ia ka dërguar mbrojtjes provat e kërkuara, do të caktohet seanca e radhës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Albina Nura po akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 77, si dhe veprës penale “konflikt i interesit” nga neni 424, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Siç thuhet në aktin akuzues, që nga mesi i vitit 2013 e në vazhdimësi deri më 13 nëntor 2017, e akuzuara Nura, në cilësinë e personit zyrtar-agjente vendore-zyrtare për reforma të administratës publike në zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e saj duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 500 mijë euro buxhetit të BE-së.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Nura me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, gjatë implementimit të tenderit sipas projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në mënyrë të kundërligjshme ka përgatitur dokumentacionin për qëllim të rritjes së vlerës së kontratës nga 2,085,000.00 euro sa ka qenë vlera e kontratës, e cila ishte përcaktuar të përfundonte nga 3 shkurti 2014 deri më 29 prill 2016, në 2,584,800.00 euro. Kjo pasi thuhet se zgjatja e kontratës në fjalë për tre muaj të tjerë, ka rezultuar me rritje të vlerës së kontratës për 500 mijë euro më shumë se që ishte vlera e kontratës.
Prokuroria pretendon se e akuzuara kishte angazhuar punonjës të administratës civile dhe punonjës tjerë shtetërorë në cilësi të ekspertëve jo-kyç, në kundërshtim me kushtet e përgjithshme të kontratës, gjegjësisht neni 9, paragrafi 9.6 e përjashton një veprim të tillë pa aprovimin paraprak të Komisionit Evropian.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura kishte ndihmuar, përgatitur dosjet dhe lejuar caktimin e personave, Ilir Reçica, Fisnik Rexhepi, Ilir Salihu, Gent Salihu, Florent Bakija, Ruzhdi Halili, Bernard Nikaj, Arianit Osmani, si ekspertë junior, nga stafi i shërbyesve civil dhe stafi tjetër i Administratës Publike të Kosovës, dhe duke e ditur se të njëjtit ishin zyrtar publik, si dhe procedura për angazhimin e tyre ishte në kundërshtim me kriteret për caktimin e ekspertëve, personat e nivelit senior të emërohen si ekspertë junior.
Sa i përket projektit “Asistencë Teknike për zhvillimin e mëtejshëm të politikës tregtare të Kosovës”, fitues i të cilit ishte “GFA Consulting Group” (drejtues), Cardo Emergin Markets, Belgjikë, si dhe “ACE International Consultants”, Spanjë, thuhet se në mes të datës 17-18 qershor 2014, ndërkohë që menaxherja e këtij projekti kishte munguar për dy ditë, e akuzuara si ushtruese detyre i kishte mundësuar Rron Dalladakut vazhdimin e angazhimit të tij për 205 ditë shtesë. Aty thuhet se kërkesë e paraqitur u përpunua dhe u dorëzua për aprovim, ku u aprovua përmes urdhrit administrativ nr.49, në të cilën mënyrë e pandehura i mundësoi Dalladakut që të rriste numrin e ditëve si ekspert jo kyç nga 350 ditë në 513 ditë në total, apo rreth 25% të vlerës totale të buxhetit të ndarë për ekspertët jo kyç, duke i mundësuar atij përfitim prej 76,950.00 euro.
Më këtë ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktit akuzues thuhet se në kohën dhe vendin e lartcekur si në dispozitivin e parë, e akuzuara në cilësinë e menaxheres së projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në zyrën e BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit në fjalë si anëtare e komisionit, gjatë muajit gusht 2013 ka vendosur që oferta e konzorciumit në krye me “Corporate & Public Management Consulting Group” (CPM) ishte vlerësuar me pikët më të larta, ndërsa në mesin e pjesëtarëve të këtij konzorciumi ishte edhe biznesi “Sustainable Strategu and developement Consulting”(SSD), më vonë ndryshuar në “Strategy & Developement Consulting” (SDC) nga Kosova, me pronar Rron Dalladakun. Ky i fundit thuhet se kishte punuar së bashku me të pandehurën në zyrën e BE-së në Kosovë, si menaxher i njërit nga projektet e kësaj zyre gjatë vitit 2011.
Tutje, thuhet se përkundër faktit se ajo ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte njëri nga anëtarët e konzorciumit në projektin të cilin ajo e vlerësoi dhe më vonë e menaxhoi, i ka mundësuar të njëjtit të fitonte projektin, duke mos deklaruar konfliktin e interesit tek menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej dhe ishte përcaktuar me Rregulloren “Procurement and Grants for European Union External Action”, Kodin e Mirësjelljes, Udhëzuesin për Etikë dhe Sjellje të Stafit Lokal të Komisionit Evropian, për faktin se Nura ka qenë pronare dhe aksionare e 19% të kapitalit me kompaninë “Agmia FRUITS”, e cila poashtu ishte e lidhur me biznesin e saj “Ferma Kodra e Diellit”, ku ajo ishte themeluese-drejtoreshë e përgjithshme dhe pronare e 40% të aksioneve, shkruan Betimi për Drejtësi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “Agmia Fruits”, më 21 mars 2017, kishte fituar projektin e financuar nga BE-ja me titull “Upgarde of Local Orchards”, në vlerë prej 218,664.56 euro, ku e akuzuara kishte dështuar të deklaronte biznesin e saj, bizneset tjera në të cilat ishte aksionare, si dhe faktin se biznesi i saj dhe biznesi “Agmia FRUITS” ishin të lidhura, kishin të njëjtin numër telefoni si dhe adresë të njëjtë. Sipas prokurorisë, verifikimi i shpenzimeve të këtij granti të BE-së ishte realizuar nga “Baker Tilly Kosovo”, e menaxhuar nga dy nga bashkë-aksionarët e biznesit “Ferma Kodra e Diellit”.
Për këtë ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.