Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve në tregun e Kosovës për ditën e martë. Sipas të dhënave të reja, çmimi i naftës ka shënuar rritje, ndërsa benzina ka pësuar një rënie të lehtë.
Në bazë të vendimit të publikuar nga ministria, çmimet tavan për litër janë:
- Nafta (Dizel): 1.88 euro (nga 1.86 sa ishte të hënën)
- Benzina: 1.46 euro (nga 1.49 sa ishte të hënën)
- Gazi: 0.74 euro
MINT njofton se do të vazhdojë të publikojë çdo ditë, deri në orën 10:00, çmimet maksimale të lejuara bazuar në mekanizmin e ri të rregullimit të tregut. Ky çmim llogaritet mbi mesataren e importeve të fundit, ku shitësit me pakicë lejohen të shtojnë deri në 12 centë mbi çmimin e furnizimit, ndërsa ata me shumicë deri në 2 centë.
Rritja e çmimeve në tregun vendor është reflektim i situatës së tensionuar në nivel global.
Që nga 28 shkurti, tregjet e naftës janë destabilizuar pas nisjes së konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Situata është rënduar veçanërisht pas vendimit të Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Kjo pikë strategjike është jetike për ekonominë botërore, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë, duke shkaktuar kështu mungesa dhe rritje të menjëhershme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
