Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar një rritje të lehtë këtë të mërkurë, duke u tregtuar me 1.89 euro për litër, ndërsa benzina mbetet e pandryshuar në 1.46 euro. Edhe gasi ka pësuar rritje, duke arritur në 0.77 euro për litër, sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Industrisë.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tregjet botërore kanë reaguar me rënie të ndjeshme pas armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Çmimi i naftës bruto Brent ra në rreth 94 dollarë për fuçi, si pasojë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, e cila ishte bllokuar që nga fillimi i konfliktit në shkurt.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani, u shpreh se megjithëse armëpushimi ka sjellë një qetësi të përkohshme dhe ka ulur frikën për mungesë furnizimi, stabilizimi i plotë në Kosovë varet nga një marrëveshje afatgjatë. Sipas tij, nëse qetësia diplomatike vazhdon, pritet që çmimet të pësojnë rënie graduale edhe në tregun tonë.
