Paralajmërimet e Bashkimit Evropian se mund të ketë zgjerim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, siç kanë thënë nëse vazhdohet me hapa të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri po shihen si serioze nga analistë politikë. Mirëpo, një mundësi të tillë e kualifikojnë si thellim të padrejtësisë në qeverinë e Kosovës.
Sipas tyre, masat nuk janë zgjidhje, derisa theksojnë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektim të marrëveshjeve të dala nga Brukseli.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se BE dhe SHBA duhet të mbështesin Kosovën, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Sipas tij, mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale në veri është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes dhe kontribut i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve.
“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon? Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.
Mirëpo, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se paralajmërimet e BE-së për shtim të masave ndëshkuese duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Nuk është në nevojën e Kosovës të prish raporte në këtë situatë, kur kemi vetëm izolim dhe kemi masa të Bashkimit Evropian, të cilat janë paralajmëruar se mund të shtohen. Ky shtim i masave nga BE-ja është në vazhdën e kritikës së BE-së si faktor ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi dhe që i bën dëme Kosove dhe synimeve të saj integruese”, thekson ai.
Ai shton se ura e Ibrit duhet të hapet, mirëpo në koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtare të Kosovës dhe veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Insistimi i qeverisë për të funksionalizuar për lëvizje të automjeteve të urës mbi lumin Ibër është më shumë për konsum politik. Për çështjen e urës ka pasur një marrëveshje dhe është dashur të insistohej dhe të thirrej edhe Republika e Kosovës, që e njëjta mos të krijojë konflikt mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtarë me theks të veçantë”, deklaron Maloku.
Gjatë kësaj jave janë bërë testimet e fundit të fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
Bashkësia ndërkombëtare ka kundërshtuar hapjen e urës së Ibrit, të cilët kanë kërkuar një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi për hapjen e saj.
Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë protestuar të mërkurën duke kundërshtuar hapjen e urës.