UBT News

SHTËPIA NËNTOKËSORE – KONCEPT I RI I BANIMIT INDIVIDUAL

Nga Zana Prelvukaj, prof.dr Lulzim Beqiri – Shtëpitë nëntoksore, si ndërtim i ri, plotësojnë dy kushtet kryesore, sigurimin e strehimit dhe mbrojtjen e ambientit përrreth saj. Teknikat e shtëpive nëntokësore janë veçanërisht të rëndësishme në zonat urbane sepse u mundësojnë komuniteteve të ndërtojnë hapësirë banimi dhe të ruajnë hapësirën e gjelbëruar. Hapësirat nën sipërfaqen e tokës janë burim i madh për t’u përdorur dhe eksploruar. Këto hapësira tani sigurojnë edhe sistemet e transportit, sistemin e ujësjellësit, sistemin e ngrohjes, ruajtjen e gazit, rrjete për ruajtjen e mineraleve të ndryshme, etj. Në aspektin ekologjik dhe estetik, në botë ekziston nevoja për peizazhe të ndryshme, të përbëra nga pyje, kullota, këneta, liqenj, pellgje dhe shumë zona të tjera natyrore, të cilat mundësojnë sigurimin e ushqimit.

Ndërtesat nëntoksore nuk mund të jenë shumë ndryshe nga hapësirat e strehimit të paraardhësve tanë të hershëm. Ky lloj ndërtimi mbështet arritjen e ndikimit të reduktuar mjedisor, të ilustruar nga ripërtërirja e tokës dhe ujit, rritja e bimëve, kthimi i shumë llojeve të kafshëve dhe rritja e stabilitetit të ekosistemit.

Qëllimi përfundimtar për shtëpitë është të arrijnë atraktivitetin, efiçiencën e energjisë (ngrohje dhe ftohje), mirëmbajtje më të ulët, si dhe një strukturë e cila funksionon mirë me mjedisin.

Shfrytëzimin e nëntokës e shpjegojnë edhe disa nga llojet e kafshëve, shpendëve, insekteve, etj. Dhelpra e cila është një ndër kafshët gjitare, urithi, miu, buburreci, merimanga, gjarpëri, e shumë gjallesa të tjera, e shfrytëzojnë mjaftë mirë tokën, duke ndërtuar nën tokë strehimore, për shkak të performancave të cilat i ofron natyra. Natyrisht që kushtet pozitive apo negative varen gjithmonë nga lloji i tokës, në aspektin se sa përmban lagështi, gjerësi, lartësi, ngjyra e sipërfaqes, këndi i pjerrtësisë, mbulesa vegjetative dhe kushtet klimatike të përgjthshme.

Shfrytëzushmërinë e tokës mjaftë mirë e sqaron edhe fotografia e bashkëngjitur më poshtë:

Shfrytëzimi i tokës si strehimore nga gjallesa të ndryshme (https://www.pinterest.com/pin/534661786983951312/, 2018)

Mirëpo, çfarë mund të ofrojë vendi ynë në adaptimin dhe ndërtimin e shtëpive nëntoksore, sa është parashikuar aspekti legjislativ për ndërtim, çfarë lloj banimi aplikon vendi ynë?.

Njohja e këtij lloj ndërtimi të ri do të zgjidhte probleme të mjaftueshme në ruajtjen e zonave të gjelbërta në hapësira urbane, ruajtjen e pyjeve, tokave bujqësore, do të mundësonte reduktimin e ndotjes së ujit dhe ajrit, zvogëlimin e dioksid karbonit, ruajtjen e resurseve natyrore, e shumë të tjera.

Kosova deri më tani ende nuk ka realizuar ndërtim të shtëpisë nëntoksore.

Ndërtimi i shtëpive nëntoksore mund të konstatohet që i përket periudhave të herëshme të banimit. Një sinonim i këtyre shtëpive shpjegon mirë jetesën në shpella, si strehimoret e para në jetën e njeriut. Si rezultat final, mund të themi se ndërtimi i shtëpive nëntoksore nuk është i ri dhe as i zbuluar për strehimin e njeriut.

Ruajtja e ushqimit nën nivelin e tokës, toka e gërmuar apo bodrumet e shtëpive, tregojnë aftësinë e efiçiencës gjatë ndryshimeve të temperaturave.

Pronarët e shtëpive nëntokësore të ndërtuara, pretendojnë zvogëlimin e faturave të energjisë deri në 90 për qind. Po ashtu, arrihet një ndikim i reduktuar mjedisor, I ilustruar nga ripërtëritja e tokës dhe ujit, rritja e bimëve vendase përreth shtëpive, kthimi i shumë llojeve të kafshëve të egra dhe rritja e stabilitetit të ekosistemit. Për më tepër, ato janë të ndërtuara prej betonit, tullave dhe materialeve lokale, të cilat shpesh janë më të disponueshme, më të lehta për t’u përdorur, më të qëndrueshme, dhe ndoshta, më pak shkatërruese për mjedisin. Kati i mbuluar me tokën mbështetë bimët dhe objekti i banimit përzihet me peizazhin natyror. Ndërsa, në ndërtesat konvencionale, kulmet dhe sipërfaqet e forta nuk mbështesin mbulesën e bimëve dhe parashikimet e drurit dhe qelqit nuk përzihen në peizazhin natyror. Shtëpitë nëntoksore mund të jenë të paçmueshme nga njerëzit për shkak ndërtimit me materiale në dispozicion në nivel lokal, ato nuk lejojnë hapje me sipërfaqe të lartë por arrijnë të përmirësojnë bimësinë dhe habitatin e kafshëve të egra. Megjithatë, këto veçori duhet paraprakisht të planifikohen në dizajnin e shtëpive nëntokësore. Shtëpitë nëntokësore bëhen anëtarë të përhershëm të komunitetit natyror, duke përdorur energji në mënyrë efikase dhe efektive. Pemët janë në ekuilibër me mjedisin dhe janë pajisje të përhershme që marrin pjesë në rrjedhën e energjisë dhe materialeve. Për shkak se shtëpia nëntoksore është një strukturë e përhershme me mirëmbajtje të ulët, ndërsa shtëpia konvencionale ka një efekt negativ të vazhdueshëm që përsëritet çdo herë që ndërtohet. Zgjedhja e një shtëpie të përshtatshme për të ruajtur energji nuk është e lehtë për t’u bërë. Ka edhe arsye të estetikës, përdorimit të tokës dhe mjedisit, zvogëlimit të zhurmës, mirëmbajtjes dhe mbrojtjes. Kushtet e banimit dhe klima mund të favorizojnë disa veçori të dizajnit. Prandaj, mund të jetë e nevojshme të përzgjedhim një kombinim të strategjive diellore konvencionale, aktive dhe pasive, si dhe kontaktet me tokën. Disa kryejnë më mirë në ftohje (kontakt tokësor), ndërsa të tjerët vlerësojnë jashtëzakonisht mirë në mbajtjen e nxehtësisë (lloje të izoluara) – në disa raste disa dizajne bëhen mirë në disa rajone, dhe jo në të tjerat.

Më poshtë janë prezantuar dy raste të ndërtimit të shtëpive nëntokësore në terren të pjerrët dhe në terren të rrafshët.

Përparësitë dhe mangësitë e shtëpive nëntokësore

Përparësitë:

Shtëpitë nëntokësore ofrojnë një strehë të sigurt nga moti ekstrem, si tornado, uragane, erëra të forta dhe stuhi breshëri.

Toka që rrethon shtëpitë siguron izolim natyral, duke krijuar një hapësirë ​​të qetë jetese me privatësi.

Shtëpitë nëntokësore përzihen mirë në mjedis, d.m.th: arkitektura modeste është e mundshme, ndryshe nga shtëpitë mbi tokë, në të cilën është e vështirë të përputhet me shtëpinë me peizazhin përreth.

Toka duke qenë një izolues natyror, i mbanë shtëpitë e tilla të ngrohta në dimër dhe të ftohta në verë. Kjo redukton kërkesat e energjisë në shtëpi, veçanërisht në zonat me erë.

Për shkak të temperaturës konstante të shtëpive nëntokësore, shpenzimet për energji janë zvogëluar ndjeshëm. Në fakt, këto shtëpi kushtojnë 80 – 95% më pak se shtëpitë tradicionale për të ngrohur dhe ftohur.

Me planifikim dhe ndërtim të duhur, këto shtëpi mund të kenë kushte të mira drite.

 Këto janë miqësore me mjedisin, për shkak të faktit se ndërtimi dëmton fare pak ekologjinë përreth. Efiçenca e lartë e energjisë ndihmon në ruajtjen e mjedisit. Gjithashtu, ato mund të ndërtohen nga materiale të ricikluara

Një shtëpi nëntokësore nxjerr një ndjenjë të afërsisë me natyrën, për shkak të faktit se është e rrethuar nga toka.

Meqenëse më shumë se 90% e shtëpisë është e përbërë prej betoni, ka më pak pjesë të tij që mund të përfshihen nga zjarri.

Shtëpitë nëntokësore janë të mbrojtura mirë nga tërmetet. Në fakt, edhe një tërmet i madh mbi tokën do të jetë vetëm një e pesta si destruktive nën të.

Për shkak të rreziqeve më të vogla, është e lehtë të sigurohet sigurimi, dhe po ashtu, me kosto më të lirë.

Këto shtëpi kërkojnë pak ose aspak mirëmbajtje të jashtme, si ri-pikturë, duke zvogëluar kështu kostot e mirëmbajtjes.

Këto shtëpi, ndërtohen nga materiale të forta si blloqe betoni dhe zhir, andaj janë të forta dhe të qëndrueshme.

Shtëpitë nëntokësore mund të ndërtohen në sipërfaqe me terrene të pjerrëta.

Këto shtëpi sigurojnë përdorimin e duhur të tokës, meqë struktura e shtëpisë është nën tokë. Në fakt, ndërtimi i një shtëpie nëntokësore është një mënyrë e mirë për të rritur vlerën e një ngastre toke.

Këto shtëpi ofrojnë më pak mundësi për insektet dhe dëmtuesit e tjerë, për shkak të numrit më të vogël të hapjeve. Kjo është tërësisht në kundërshtim me shtëpitë mbi tokë.

Këto shtëpi janë pothuajse të sigurta nga grabitësit dhe hajdutët, kur krahasohen me shtëpitë tradicionale, pasi që vetëm një anë e shtëpisë duhet të mbrohet.

Ato janë të sigurta nga pasojat radioaktive të shpërthimeve bërthamore dhe situatave të tjera shpërthyese, në rast të një konflikti global. Shtëpia mund të bëhet e ajrosur në rast të një sulmi biologjik.

Mangësitë e shtëpive nëntokësore:

Mund të ketë një rregullim psikologjik që nevojitet për një person që zhvendoset nga një shtëpi tradicionale mbi tokë në një shtëpi nëntokësore.

Këto shtëpi janë të pazakonta dhe kërkojnë planifikim të kujdesshëm.

Një nga problemet kryesore me shtëpitë nëntokësore është se ato nuk mund të ndërtohen në një zonë të prirur nga përmbytja.

Këto shtëpi kërkojnë kujdes të konsiderueshëm për të mbajtur lagështinë, si gjatë ndërtimit, ashtu edhe në jetën e shtëpisë.

Procesi i aplikimit të lejës së ndërtimit dhe hipotekës, gjithashtu mund të jetë sfidues për këto shtëpi.

Është sfiduese që të përshtaten pajisjet katrore ose kornizat të cilat janë projektuar për mure të drejta në shtëpitë nëntokësore për shkak të lakimit të murit.

 Ndërtimi i shtëpive të tilla kërkon procedura komplekse të ventilimit


Llojet e shtëpive nëntokësore

Varësisht nga vendi i ndërtimit dhe analizave të terrenit, shtëpitë nëntokësore ndahen në kategoritë e mëposhtme:

Shtëpia nëntokësore;

Shtëpia nëntokësore me atrium;

Shtëpia nëntokësore me një fasadë të lirë;

Shtëpia me dy fasada të lira;

Shtëpia e kombinuar;

Të gjitha llojet e shtëpive nëntokësore gjejnë aplikimin e tyre në bazë të përzgjedhjes të terrenit, terrene të pjerrëta, terrene me sipërfaqe të rrafshët, në shkëmbinj, etj.

Për projektim dhe dizajnim për sigurimin e ndriçimit natyral të mjaftueshëm, që konsiderohet si element i domosdoshëm për të kryer funksionin si shtëpi banimi, është orientimi i hapësirave të brendshme. Orientimi në pjesën jugore, jug-lindje dhe jug-perëndim, do të ofronte mundësi të mira për sigurimin e hapjeve që mundësojnë ndriçim dhe ventilim natyral. Duke u bazuar se shtëpitë nëntokësore ndahen në kategori të ndryshme, forma e sigurimit të dritës ndahet në bazë të tipologjive dhe llojit të terrenit, në të cilin shtëpia projektohet.

Shpërndarja e dritës përgjatë thellësisë të hapësirave, gjithashtu është e rëndësishme për krijimin e një mjedisi komod të banimit.

Zhvillimi i teknologjisë dhe prodhimit të fundit të elementeve ndriçuese ndihmon mjaftueshëm në zgjidhjen e problematikave, në aspektin e ndriçimit tek shtëpitë nëntokësore.

Ana Luura Mohrit, e cila realizoi një studim rreth sigurimit të ndriçimit tek shtëpitë nëntokësore, në librin “Natural Lighting and Psychogical Bariers in Underground Houses”, ka arritur të sqarojë disa nga format e aplikimit të materialeve dhe formave, të cilat mund të përdoren tek shtëpitë nëntokësore, që ofrojnë një rezultat të mirë për sigurimin e dritës. Pasqyrat konsiderohen elemente të cilat ndihmojnë në thyerjen e dritës, dhe përdorimi i pasqyrave në ambientet e brendshme rezulton me shpërndarjen e dritës në zonat e brendëshme të pandriçuara tek shtëpitë nëntokësore. Xhami është material transparent që ndihmon në izolimin e hapësirave nga ndryshimet atmosferike, siguron edhe depërtimin e dritës në hapësirat e brendshme. Rëndësi të madhe, e cila duhet të merret si analizë në projektim, kanë edhe llojet e hapjeve të cilat mund të aplikohen tek shtëpitë nëntokësore, forma, madhësia dhe orientimi ndikojnë në sigurimin e ndricimit të hapësirave të pandriçuara.

SHTËPIA NËNTOKËSORE NË KOSOVË

Kosova nuk ka ndonjë përvojë ndërtimi të këtyre llojeve të shtëpive, pavarësisht nga potenciali që ka Kosova për ndërtimin e këtyre llojeve të shtëpive. Megjithatë, Kosova, për implementimin e kësaj shtëpie, ka disa pengesa që janë:

Legjislative;

Psikologjike;

Sociale-mentaliteti.

Në aspektin legjilativ, Kosova nuk ofron normativë për ndërtimin e kësaj shtëpie, si edhe shumë shtete në rajon e më gjerë. Normativat e qarta për Kosovën do të duhej të analizohen për një kohë më të gjatë dhe me një qasje shumë profesionale, me qëllim të krijimit të standardeve adekuate për implementimin e këtyre shtëpive. Këto standarde mund adaptohen edhe nga legjislacioni i shteteve me konfiguracion dhe përbërje gjeologjike dhe seizmike të njëjtë apo të përafërt me Kosovën.

Në aspektin psikologjik dhe social, ky lloj ndërtimi është jo edhe aq i rekomanduar për njerëzimin, për faktin që nën nivelin zero njeriu zakonisht është në fazën e përfundimit të jetës se tij (varrosja), prandaj ky lloj objekti nuk është që mund lehtë të pranohet nga banorët. Ky edhe është një motivim që ky lloj objekti të ndërtohet në fillim për qëllime turizmi, me qëllim të thyerjes së barrierave psikologjike, në mënyrë që shtëpia me lehtë të pranohet si banim i përhershëm dhe me përmasa pak më të gjera.

Ndryshimet klimatike, në veçanti rritja e temperatures, e “detyron” objektin e banimit të “mbrohet” nga kushtet klimatike dhe kjo mbrojtje e këtij objekti mund të realizohet përmes “uljes” së objektit të banimit në thellësi të ambientit ku ndërtohet. Mbrojtja e objektit duke e ndërruar nivelin nga ai pozitiv, në atë negativ, nga niveli zero rezulton në përfitime të ndërsjella. Objekti mbrohet nga ndikimet klimatike dhe energjinë që shkëmben me ambientin ku ndërtohet, u ofron banorëve një komoditet energjetik, duke ndihmuar në mbrojtjen e ambientit dhe në eleminimin e pengesave vizuele në terrenet ku ndërtohet shtëpia.

Exit mobile version