UBT News

Shtëpia e Kulturës në Preshevë tashmë e ka edhe Teatrin e Qytetit

Aktorët preshevarë me shfaqje të ndryshme në teatrot e rajonit po e prezantojnë Shtëpinë e Kulturës si Teatër i Qytetit. Të përkushtuar në punën e tyre, ata po e gjallëzojnë edhe më shumë kulturën e shqiptarëve të Preshevës.

Lirigzona Nuredini

Preshevë, 11 maj – Teatri në Preshevë filloi punë në Shtëpinë e Kulturës ‘’Abdulla Krashnica’’ më 14 nëntor të vitit 2017, përkatësisht në 14 vjetorin e organizimit të aktivitetit kulturor të festivalit ‘’Ditët e Komedisë Shqiptare’’.

Në natën e parë të mbajtjes së aktivitetit kulturor të festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare’’, aktorët preshevarë Artan Ibishi, Valon Nuhiu e Gjelbrim Emini, të punësuar në Shtëpinë e Kulturës, prezantuan shfaqjen “Maratonisti’’, me regji të Kastriot Saqipit.

Shtëpia e Kulturës ka filluar punë në vitin 1981. Në fillim janë mbajtur shfaqje teatrale pa zë, të cilave u parapriu përgatitja e pjesës teatrale vetëm me mimikë.

“Vjedulla para gjyqit”, ishte shfaqja e parë teatrale me nismëtarët e artit dramatik në Preshevë, Hilmi Qerimi dhe Shenasi Hallaçi. Me iniciativë të intelektualëve të asaj kohe, në vitin 1960 ishte inskenuar drama “Halit Gashi” e Xhemil Dodës në regji të Adem Ahmetit.

Ndonëse themelimi i Teatrit ishte kërkesë e vazhdueshme e aktorëve preshevarë, ajo u hap me mbështetjen e organit të përkohshëm të Kuvendit Komunal të Preshevës, që ishte aprovuar me votat e këshilltarëve të Kuvendit Komunal, e kjo kishte ndodhur një vit pasi ishin mbajtur zgjedhjet për qeverisje Komunale. Në Shtëpinë e Kulturës për teatër janë të punësuar 4 aktorë.

Valon Nuhiu me profesion aktor, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë punon si drejtor. Ai për UBTNews mes të tjerash paraqet qëndrimet e tij për teatrin e qytetit, i cili funksionon në kuadër të Shtëpisë së Kulturës.

“Tani janë 4 aktorë rezident dhe 1 regjisore që momentalisht punojnë dhe veprojnë në Shtëpinë e Kulturës. Për qytetin e Preshevës ka qenë i domosdoshëm një Teatër, bile është vonuar themelimi i tij. Për shumë vite nuk kemi hezituar që të kërkojmë një Teatër me kolegët që kemi studiuar në Akademinë e Arteve në degën e Aktrimit”, tha ai.

Edhe pse Shtëpia e Kulturës në Preshevë, në statusin e saj të nxjerrë më 12 maj të vitit 1993, përcaktohet si institucion për plotësimin e nevojave kulturore të qytetarëve, bën sigurimin dhe realizimin e të drejtave të garantuara me ligj në lëmin e kulturës, themelimi i Teatrit ka qenë pengesë për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm ndarë për Shtëpinë e Kulturës nga qeveria e Serbisë.

Mbështetja e aktorëve për themelimin e teatrit ishte edhe një nga premtimet parazgjedhore në vitit 2016 nga partia Alternativa për Ndryshim, e cila garonte për herë të parë në ato zgjedhje.

Gjelbrim Emini aktor i punësuar në Shtëpinë e Kulturës për Teatër, themelimin e Teatrit e sheh si mundësi e mirë për të rinjtë e qytetit të Preshevës, pasi thotë se teatri i largon nga punët jo të mira, por edhe emancipon e kulturon një vend.

“Nga kafeteritë, nga rruga e nga çdo e keqe shoqërore. Çdo shikues i një shfaqjeje e sheh veten në një rol të caktuar, qoftë i mirë apo i keq roli, dhe pastaj reflekton që ta ndreq gabimin që e ka bërë gjatë jetës’’, tha ai për UBTNews.

Veprimtaria teatrore skenike, veprimtaria muzikore dhe folklorike, veprimtaria për filmike, veprimtaria letrare, veprimtaria recituese, veprimtaria e grupeve të arteve figurative dhe Festivali “Ditët e komedisë shqiptare”, Festivali i Shoqërive Kulturore Artistike “ Presheva Jehonë”, si dhe Festivali i Recituesve nga mbarë trojet shqiptare, janë disa prej aktiviteteve kulturore që janë mbajtur e disa edhe vazhdojnë të mbahen që nga viti 1981 kur është themeluar Shtëpia e Kulturës.

Në aktivitetin e festivalit “Ditët e komedisë shqiptare”, të organizuar çdo vit, marrin pjesë teatrot nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia Veriperëndimore. Organizimi garues zgjatë 5 netë e teatrot prezantojnë shfaqjet e tyre. Në natën finale vlerësohen nga juria e cila përcaktohet nga stafi punues në Shtëpinë e Kulturës.

Çmimet në natën finale të festivalit “Ditët e komedisë shqiptare’’, ndahen për shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë, aktorin më të mirë, aktorja më e mirë, aktori më i mirë joprotagonist, aktorja më e mirë joprotagoniste dhe çmimi special.

Afeida Boriçi – Mehmeti regjisore në Teatrin e Shtëpisë së Kulturës, e ka mirëpritur hapjen e Teatrit, që sipas saj “teatri është skena e të gjithëve”.

‘’Jeta kulturore në Preshevë ka filluar pas luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht në vitin 1945. Ndoshta kanë kaluar shumë vite që kur edhe janë mbajtur edhe shfaqjet e para, mirëpo ka qenë një punë që ka dashur përkushtim për të forcuar kulturën e këtij vendi. Është më ndryshe tash edhe kur marrim pjesë nëpër festivale mbarëkombëtare, marrim pjesë si teatër profesionist”, thotë Boriçi – Mehmeti.

Ajo vlerëson se që nga hapja e Teatrit, gjërat, ndonëse me vështirësitë e veta, po ecin mbarë.

“Po marrim pjesë nëpër festivale dhe kemi shumë çmime të fituara. Shpresoj që të kemi edhe shumë aktorë, dramaturg, regjisor dhe familja jonë e vogël artistësh, të rritet edhe më shumë sepse teatri ka nevojë për shumë punëtorë profesionist, që e duan artin dhe që japin shumë për të, sepse ajo është skenë për ne e për të gjithë’’, u shpreh ajo për UBTNews.

Hapja e teatrit në Shtëpinë e Kulturës, aktorëve preshevarë u ka mundësuar që të përfaqësojnë Shtëpinë e Kulturës si teatër i qytetit të Preshevës, në vendet e rajonit me shfaqje të ndryshme e duke fituar çmime të shumta.

Xhemaledin Salihu kryetar për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë për UBTNews thotë se teatrin e sheh si gjallesë të kulturës në këtë vend.

“Lugina e Preshevës ka nevojë për institucione kulturore. Në këtë rast po flas edhe për komunën e Bujanocit dhe të Medvegjës. Këto komuna janë me shumicë shqiptare, që gjendet në Republikën e Serbisë. Ajo që i bënë më të veçanta dhe specifike këto komuna është gjuha, simbolet dhe kultura e shqiptarëve. Hapja e teatrit si institucion kulturor, u ka mundësuar aktorëve dhe regjisorëve të vendit të zhvillojnë veprimtarinë teatrale e cila krijohet në Luginë të Preshevës’’, tha ai.

Ndërkaq pas më shumë se 3 vite punë që nga hapja e Teatrit të qytetit, Ministria e Kulturës së Serbisë ka aprovuar kërkesën nga drejtoria e Shtëpisë së Kulturës, për renovimin e skenës teatrale me vlerë 5 milion dinarë (43 mijë euro), kërkesë kjo e cila ishte parashtruar para 2 viteve, meqenëse skena që aktorët do të përformojnë para publikut është e vjetër, pasi ka shërbyer 40 vjet që nga koha kur ka filluar punën Shtëpia e Kulturës./UBTNews

Exit mobile version