UBT News

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Exit mobile version