Një shtatore e lartë 3 metra, që nderon figurën e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ka arritur dje në Itali. Kjo iniciativë është organizuar nga shoqata “Hora e Skënderbeut” dhe përbën një dhuratë nga emigrantët shqiptarë për arbëreshët. Lajmi është shpallur nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.
Dhurata është një shenjë mirënjohjeje për kontributin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare për më shumë se pesë shekuj.
Shtatorja, e cila është krijuar nga skulptori Gëzim Muriqi nga Prishtina, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj është planifikuar për më 30 gusht 2024, një datë që përkon me themelimin e këtij ngulimi që daton që nga viti 1488.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë përsipër financimin e transportit të shtatores, ndërsa stafi i saj ka ndihmuar në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për dërgimin e saj në Itali. Shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në këtë ngjarje festive./UBTNews/