Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka njoftuar vendosjen e shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qytetin e Tuzit, në Malin e Zi.
Ceremonia e vendosjes së shtatores u zhvillua në sheshin qendror të komunës së Tuzit, një hapësirë simbolike për shqiptarët e kësaj zone. Pas krijimit të komunës së re të Tuzit, pas ndarjes nga Komuna e Podgoricës, Kuvendi i Tuzit miratoi njëzëri vendimin për ngritjen e këtij monumenti, që nderon figurën legjendare të Skënderbeut, i njohur si simbol i luftës dhe qëndresës për liri e pavarësi.
Në ceremoni morën pjesë qytetarë të Malit të Zi, si dhe mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, përfshirë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrësit nderuan figurën e Skënderbeut, duke u bashkuar në një festë të madhe kombëtare, që thekson lidhjet e forta mes shqiptarëve, si dhe respektin e përjetshëm për heroizmin e tij.
Një pjesë e konsiderueshme e financimit për realizimin e shtatores erdhi nga shoqatat shqiptare të “Mërgatës së Malësisë” në SHBA, të cilët dhanë mbështetje për realizimin e këtij projekti me rëndësi historike dhe kulturore për shqiptarët në Malin e Zi dhe në mbarë botën.
Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Tuz, një qytet që ka një histori të pasur me shqiptarë, është një akt simbolik që thekson lidhjet e pandashme të kombit shqiptar me këtë pjesë të Ballkanit dhe me heroizmin e Skënderbeut, një emër që ka ngelur i shenjtë për çdo shqiptar, kudo ku jeton./UBTNews/