Sot bëhen shtatë vjet që nga ndarja nga jeta e Fadil Vokrrit, një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar. Kontributi i tij në fushën e lojës dhe më pas në zhvillimin institucional të futbollit në Kosovë e ka vendosur atë në qendër të historisë sportive të vendit.
Fadil Vokrri lindi më 23 korrik 1960 në Podujevë. Futbollin e nisi në moshën 15-vjeçare, ndërsa debutimin e parë e pati si 17-vjeçar me KF “Llapi”. Rruga e tij vazhdoi në vitin 1980 me kalimin te KF “Prishtina”, ku shënoi mbi 50 gola në të dy nivelet e ligave të atëhershme jugosllave.
Karriera e tij arriti kulmin në vitet ’80, ku në vitin 1984 u bë lojtari i vetëm shqiptar që përfaqësoi Jugosllavinë në nivel ndërkombëtar, me 12 paraqitje dhe 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit, ndërsa më pas ndoqi karrierën në Francë dhe Turqi, ku luajti për Nimes dhe Fenerbahçe, përpara se të kthehej në Francë për të përfunduar karrierën.
Pas luftës, Vokrri u rikthye në Kosovë për të kontribuar në zhvillimin e futbollit. Në vitin 2008 u emërua kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Gjatë mandatit të tij, FFK-ja arriti të pranohet në UEFA dhe FIFA – një hap historik për futbollin kosovar.
Fadil Vokrri ndërroi jetë më 9 qershor 2018, në moshën 57-vjeçare, pas një sulmi në zemër. Ai u varros me nderime shtetërore, ndërsa 10 qershori u shpall ditë zie kombëtare.
Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë, jo vetëm në kujtimet e sportdashësve, por edhe në strukturat e futbollit modern të Kosovës, për të cilin ai punoi deri në fund.