Sot janë bërë plot shtatë vjet nga ndeshja e parë zyrtare e Përfaqësueses së Kosovës e lejuar nga FIFA.
Në historinë e re të popullit tonë marsi ka shënuar kthesa të mëdha dhe data të rëndësishme.
Një e tillë pa dyshim se është edhe 5 marsi i vitit 2014, kur u zhvillua miqësorja ndërmjet Kosovës dhe Haitit, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare nën patronatin e FIFA-s dhe që shënoi kapitullin e ri për futbollin e Kosovës, duke e thyer përfundimisht izolimin e padrejtë prej më shumë se dy dekadash.
Reshjet e shiut të asaj të mërkure ishin si shenjë bereqeti për futbollin tonë, i cili dy vjet më pas, përfundimisht arriti të bëhet pjesë e barabartë në familjen e madhe të futbollit evropian dhe botëror, UEFA e FIFA.
Takimi ishte mbyllur me rezultat të barabartë 0:0, ndërsa në stadium ishin plot 17 mijë shikues.