Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit me inicialet Sh.H., duke e dënuar me shtatë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për dy vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari është shpallur fajtor për vjedhjen e kryer më 12 janar 2025 në një argjendari në Prizren, ku së bashku me një shtetas bullgar, të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, kanë hyrë me forcë në lokal dhe kanë marrë një sasi të madhe ari, argjendi dhe sende të tjera me vlerë.
Pas hapjes së kasafortës, ata kanë marrë 3 kilogramë ari 14-karatësh, një monedhë pesë lira, dy monedha lira, hallka dore, një kilogram argjend me pastërti 925 dhe një peshore, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë prej 195 mijë eurosh.
Sipas aktgjykimit, po atë natë i akuzuari kishte tentuar të kryente edhe një vjedhje tjetër në një argjendari në Prizren, por nuk kishte arritur ta hapte kasafortën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, më 23 janar 2025, ai kishte hyrë me forcë në një objekt tjetër, nga ku kishte marrë një modem interneti, një DVR dhe kishte dëmtuar sistemin e kamerave të sigurisë.
Pas zhvillimit të nëntë seancave gjyqësore, Gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin, duke e dënuar me shtatë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Po ashtu, Gjykata ka urdhëruar që i dënuari t’ia kompensojë të dëmtuarit dëmin në shumën prej 195 mijë eurosh ose, në të kundërtën, të konfiskohen pasuritë e tij me vlerë të barasvlershme.
Për realizimin e kompensimit, është urdhëruar shitja në ankand publik e një apartamenti dhe katër automjeteve të sekuestruara përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ndërsa masa e paraburgimit ndaj të dënuarit është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit./A.K/
