UBT News

Shtatë raste të dhunës në familje brenda një dite

Dora e një gruaje në një protestë në Francë, me thirrjet kundër dhunës ndaj grave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar disa raste të dhunës në familje që kanë çuar në arrestime dhe procedura gjyqësore në disa qytete të Kosovës.

Në Prishtinë, policia ka iniciuar rastin e një personi që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa në një incident tjetër po në kryeqytet, një person ka sulmuar fizikisht vëllain e tij pas një mosmarrëveshjeje, duke i shkaktuar lëndime për të cilat ka pranuar tretman mjekësor. Gjithashtu në Prishtinë, është dërguar në mbajtje një i dyshuar i cili nën ndikimin e alkoolit ka fyer dhe sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Në qytetin e Kaçanikut, një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes.

Ndërkohë, një rast më specifik është regjistruar në Pejë, ku një person është arrestuar pasi ka kanosur djalin e tij dhe ka shfaqur agresivitet ndaj familjarëv. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47 me tetë fishekë.

Gjithashtu në Pejë, një grua është shoqëruar në stacion pas dhunës së ushtruar ndaj bashkëjetuesit të saj, por palët janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Së fundi, në Deçan, një çift bashkëshortor është përfshirë në një përleshje fizike pas një mosmarrëveshjeje, rast i cili me vendim të prokurorit po vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

Exit mobile version