UBT News

Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje në Prishtinë, Gjakovë dhe Kamenicë. Si rezultat i veprimeve policore, pesë persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje, një ndodhet në arrati, ndërsa një rast po hetohet.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, një burrë dyshohet se në vazhdimësi u shkakton presion psikik dy fëmijëve të mitur, rast për të cilin nuk ka të arrestuar dhe po zhvillohen hetime. Në rastin e dytë, është arrestuar një burrë pasi i ka shkaktuar dhunë psikike bashkëshortes së tij dhe e ka larguar nga banesa; ai është dërguar në mbajtje pas intervistimit. Ndërkaq, në rastin e tretë në kryeqytet, një burrë dhe një grua dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga djali i tyre i mitur, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Tri raste të tjera janë regjistruar në Gjakovë. Në njërën nga to, pas një mosmarrëveshjeje, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa burri është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Në një rast tjetër, një grua është keqtrajtuar nga djali i saj i mitur. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe është kthyer në shtëpi me dëshirën e saj, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

Po ashtu, në Gjakovë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë tjetër, pasi kishte keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Përmes një raporti shtesë, Policia bëri të ditur se në këtë komunë është arrestuar edhe një burrë lidhur me një rast të mëparshëm të dhunës në familje, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Kamenicë, Policia ka arrestuar një burrë i cili nën ndikimin e alkoolit kishte fyer vajzën e tij. Me vendim të prokurorit, edhe ky i dyshuar është dërguar në mbajtje. /E.A/

Exit mobile version