Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në disa komuna të Kosovës, njofton Policia e Kosovës në raportin e saj ditor.
Në Prishtinë janë shënuar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi dyshohet se ka ofenduar dhe kanosur bashkëshorten e tij. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar me urdhër të prokurorit të enjten, nën dyshimin se një burrë kishte shqetësuar një grua ditë më parë.
Edhe në Gjilan është arrestuar një burrë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Fushë Kosovë është raportuar një mosmarrëveshje mes një nëne dhe djalit të saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe lënda ka shkuar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Rahovec është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka keqtrajtuar mbesën e tij të mitur. Pas njoftimit të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Malishevë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Ndërsa në një rast tjetër të raportuar në nivel vendi, një burrë është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. /E.A/
