Disa raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, duke çuar në arrestimin e shtatë personave në rajone të ndryshme të vendit.
Në Prishtinë janë regjistruar dy raste. Në njërin rast, një burrë është arrestuar pasi ka kanosur me thikë një grua, ndërsa gjatë kontrollit policia i ka gjetur një thikë dhe 0.36 gramë marihuanë, duke e dërguar në mbajtje. Po ashtu në kryeqytet është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë tjetër për një rast të mëparshëm të dhunës në familje.
Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për ushtrim të dhunës dhe kanosje ndaj një gruaje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Klinë, ku një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
Në Lipjan janë arrestuar dy burra pas një përleshjeje fizike mes vete pas një mosmarrëveshjeje, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Fushë-Kosovë është iniciuar rast ndaj një burri me shtetësi të Shqipërisë, i cili ndodhet në kërkim policor nën dyshimet për dhunë në familje. /E.A/
