Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Komisionin e Pavarur për Media për 2023, raportin e auditimit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për 2023, si dhe raportin e auditimit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për 2023.
Kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami ka thënë se raportet nga këto tri institucione janë me opinion të pamodifikuar.
Sa i përket raportit të auditimit për Komisionin e Pavarur për Media për 2023, Bajrami u shpreh se ky raport ka rezultuar me një gjetje të vetme dhe ajo ka të bëjë me funksionimin e pozitave të larta udhëheqëse me ushtrues detyre.
“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë raport të pamodifikuar, ky raport ka rezultuar me një gjetje të vetme dhe gjetja ka të bëjë me funksionimin e pozitave të larta udhëheqëse me ushtrues detyre. Pozita e kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave funksionon me ushtrues detyre për një periudhë të gjatë, saktësisht nga korriku i vitit 2021 dhe ju e dini që kjo nuk është e lejuar as me Ligjin për zyrtarët publik”, tha Bajrami.
Edhe sa i përket raportit të auditimit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për 2023, Bajrami ka thënë se janë dy gjetje, njëra ndër to ka të bëjë me moskryerjen e inventarizimit të pasurisë brenda afatit ligjor.
“Raporti i auditimit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe tek ky institucion ka opinion të pamodifikuar. Tek ky raport janë dy gjetje, njëra ka të bëjë me mosrespektim të procedurave për servisim të automjeteve, gjetja tjetër ka të bëjë me moskryerjen e inventarizimit të pasurisë brenda afatit ligjor”, ka thënë Bajrami.
Ndërsa, ka shtuar se edhe raporti i auditimit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për 2023, ka opinion të pamodifikuar dhe se janë tri gjetje, njëra ndër to ka të bëjë me zotimin e mjeteve dhe nxjerrjen e urdhërblerjes pas pranimit të faturës në gjashtë pagesa.
“Ky raport gjithashtu ka opinion të pamodifikuar, i ka tri gjetje. Gjetja parë ka të bëjë me zotimin e mjeteve dhe nxjerrjen e urdhërblerjes pas pranimit të faturës në gjashtë pagesa në vlerë prej 4 mijë e 952 euro, zotimi i mjeteve dhe urdhërblerjet ishin proceduar pasi ka ardhur fatura, kjo ka ndodhë për shkak moszbatimit të procedurave ligjore për shpenzimet e parasë publike nga ana e zyrtareve përgjegjës. Gjetja e dytë ka të bëjë me protokollimin e faturave të pranuara, në dy raste në vlerë të pagesave 3 mijë e 300 euro janë realizuar pagesa bazuar në fatura të cilat nuk kanë qenë të protokolluara nga organizata. Dhe gjetja tjetër është mospërdorimi i sistemit të pasurisë, pra ZRRE regjistrimin e pasurisë jo kapitale dhe stoqet i mban të regjistruara në formatin e brendshëm në Excel”, tha Bajrami.