Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, një nga ngjarjet më prestigjioze të kinematografisë botërore, çmimi i madh “Golden Bear” për film të shkurtër iu nda filmit “Someday, a Child”, me regji nga regjisorja libaneze Marie-Rose Osta dhe me drejtor fotografie shqiptarin Sokol Keraj.
Filmi, me gjatësi 27 minuta, pati premierën e tij botërore në Berlin dhe është një bashkëprodhim mes Francës, Rumanisë dhe Libanit.
Në qendër të rrëfimit është një djalë 11-vjeçar me aftësi të pazakonta, i cili jeton me xhaxhanë e tij në një fshat në Liban, ku zhurma e avionëve luftarakë është pjesë e përditshmërisë. Ndërsa xhaxhai përpiqet ta bëjë të duket “normal”, djali në fshehtësi vë në provë një fuqi që mezi e kupton. Kur ai aksidentalisht shkakton rrëzimin e dy avionëve luftarakë, ajo që ishte e fshehur bëhet e pamundur për t’u kontrolluar, duke e çuar historinë drejt një tensioni dramatik dhe simbolik.
Sokol Keraj, i cili në këtë projekt mban rolin e drejtorit të fotografisë, ka studiuar regji filmi në Rumani dhe aktualisht është pedagog në Universitetin Politecnico Grancolombiano në Bogota, Kolumbi.
Ndër projektet e tij të mëparshme përmenden filmat “Dita e fundit e Loro Shestanit” dhe “Gëzuar Vitin e Ri 1982”, të cilët dëshmojnë për një profil artistik të konsoliduar dhe një kontribut të rëndësishëm në fushën e kinemasë. /euronews/
