Një 29-vjeçar nga Mati është ekstraduar nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet A. Gj. ishte shpallur në kërkim pasi, në maj të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Arrestimi i tij në Gjermani u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden. Më pas, specialistët e Interpol Tiranës realizuan ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
/A.K/
