Pilotët e rinj nga Shqiponjat e Kastriotit kanë shkëlqyer në garën ndërkombëtare të paraglidizmit në disiplinën Accuracy Landing, e mbajtur në Alicante, duke dominuar konkurrencën me rezultate të jashtëzakonshme.
Në këtë garë morën pjesë 115 pilotë, ndërsa vetëm 61 prej tyre arritën të kualifikohen për fazën konkurruese. Ekipi nga Kosova u dallua me performancë të lartë, duke fituar shumicën e medaljeve kryesore.
Talenti 14-vjeçar Arbër Shala zuri vendin e parë, duke hyrë në histori të këtij sporti, ndërsa Migjen Shala u rendit i treti dhe Lisjeta Thaqi përfundoi në vendin e pestë. Në konkurrencën e femrave, Lisjeta Thaqi fitoi vendin e parë, ndërsa Anisa Shala u rendit e katërta.
Dominimi vazhdoi edhe në kategorinë e juniorëve, ku Arbër Shala fitoi sërish vendin e parë, ndërsa vendi i dytë i takoi Anisa Shalës.
Sukseset individuale u kurorëzuan edhe me triumfin ekipor, ku Kosova zuri vendin e parë, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe punës së vazhdueshme të klubit nën drejtimin e trajnerit Fanol Shala.
