Shqipëria përgatitet të luajë ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me Gjeorgjinë në “Arenën Kombëtare” mbrëmjen e 10 shtatorit. Ndeshja është e vlefshme për Grupin B1 dhe është një mundësi për kuqezinjtë që të vazhdojnë serinë e suksesit në këtë kompeticion.
Në ndeshjen e kaluar, Shqipëria e nisi mjaft mirë aventurën në Ligën e Kombeve duke mundur Ukrainën, e cila konsiderohej si skuadra më e fortë e grupit. Pavarësisht se qëndruan në disavantazh për 5 minuta, djemtë e Sylvinhos e menaxhuan mjaft mirë ndeshjen dhe arritën të përmbysin rezultatin.
Përballja e radhës është me Gjeorgjinë, që ka qenë një “mace e zezë” për Shqipërinë në përballjet e kaluara. Fitorja më e fundit e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë daton në vitin 2005 në “Qemal Stafa” për kualifikueset e Botërorit “Gjermani 2006”, ku u mbyll me rezultatin 3-2. Pas kësaj ndeshjeje, Shqipëria ka luajtur 5 herë me Gjeorgjinë, duke numëruar tri barazime dhe dy humbje në miqësore. Në total, Shqipëria ka fituar 3 herë kundër Gjeorgjisë, ndërsa gjeorgjianët kanë fituar 8 herë dhe 4 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Në anën tjetër, Sylvinho ka arritur të ruajë një rekord të shkëlqyer në “Arenën Kombëtare”. Nën drejtimin e tij, Shqipëria ka luajtur 5 ndeshje brenda, duke numëruar 4 fitore dhe një barazim. Ndeshja e fundit e Shqipërisë në këtë stadium ishte më 16 nëntor 2022, kur u mundën 1-3 nga Italia në një miqësore, ndërsa fitore të mëvonshme përfshijnë 2-0 ndaj Armenisë.
Sylvinho ka arritur të thyejë disa “tabu” duke mundur kombëtare të fuqishme si Polonia, Çekia dhe Ukraina. Një fitore tjetër do të ndihmonte Shqipërinë të qëndronte në krye të Grupit B1 dhe të afronte më shumë ëndrrën për të arritur në një Kampionat Botëror./UBTNews/