UBT News

Shqipëria shpall “non-grata” për 15 vjet teologen nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi është marrë nga autoritetet shtetërore në kuadër të masave për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, ky hap u ndërmor bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial. Ndaj Hudutit rëndojnë dyshime për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri tashmë i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të kufirit e migracionit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai deklaroi se Huduti ka qenë e përfshirë si “e infiltruar” në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.

Nga ana tjetër, vetë Igballe Berisha-Huduti i ka mohuar të gjitha pretendimet dhe akuzat e autoriteteve. Përmes një reagimi, ajo ka theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë tërësisht qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër të fshehur. /E.A/

Exit mobile version