UBT News

Shqipëria rikthehet në Ligën B, fushatën e mbyll me fitore ndaj Bjellorusisë

Shqipëria e ka përmbyllur me sukses edicionin e pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke siguruar rikthimin në Ligën B për edicionin 2028/2029.

Kuqezinjtë triumfuan të dielën mbrëma me rezultat 2:0 ndaj Bjellorusisë, në ndeshjen e zhvilluar në Budapest të Hungarisë, ku kundërshtari ishte nikoqir i kësaj përballjeje të xhiros së fundit në Grupin C1.

Fitoren e Shqipërisë e vulosën Rey Manaj dhe Elseid Hysaj. Manaj zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, ndërsa Hysaj dyfishoi epërsinë në minutën e 57-të, pas asistimit të sulmuesit shqiptar.

Pavarësisht mungesës së Ernest Muçit, një prej lojtarëve më në formë të skuadrës, Shqipëria zhvilloi një paraqitje bindëse dhe krijoi raste të shumta për të shënuar edhe gola të tjerë. Ndeshja u zhvillua në stadium të zbrazët.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran e përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë me 15 pikë, duke regjistruar pesë fitore në gjashtë ndeshje. Humbjen e vetme e pësoi ndaj Finlandës në Helsinki, ndërsa ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos regjistroi nga dy fitore.

Ky sukses i mundëson Shqipërisë rikthimin në Ligën B, pasi në dy edicionet e fundit kishte garuar në këtë nivel. Gjithashtu, përfundimi në vendin e parë i siguron asaj vendosjen në vazon e tretë për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028.

Pas Shqipërisë, Bjellorusia përfundoi në vendin e dytë me 10 pikë dhe do të luajë në plejof për avancim në Ligën B. Me po aq pikë, Finlanda u rendit e treta, ndërsa San Marino e mbylli grupin në pozitën e fundit pa asnjë pikë.

D.L

Exit mobile version