Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me humbje epokën e trajnerit të ri, Rolando Maran, pasi u mposht 1:0 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Air Albania Stadium.
Pas një pjese të parë të balancuar, kuqezinjtë u shfaqën më kërkues në vazhdim të takimit, duke regjistruar 13 goditje drejt portës kundrejt 11 të mysafirëve dhe duke mbajtur 59 për qind të posedimit të topit. Megjithatë, përkundër rasteve të krijuara, Shqipëria nuk arriti të konkretizonte dominimin e saj.
Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 73-të, kur Oscar Gloukh realizoi golin e vetëm të takimit, duke i siguruar fitoren Izraelit.
Pas golit pati tensione në fushë. Sipas raportimeve, Gloukh provokoi tifozët vendas gjatë festimit, ndërsa kapiteni shqiptar Elseid Hysaj reagoi menjëherë, duke shkaktuar një përplasje të shkurtër mes lojtarëve të të dy skuadrave. Hysaj u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari.
Në minutat e mbetura, Maran provoi të ndryshonte rrjedhën e lojës me disa zëvendësime, por Shqipëria nuk arriti të gjente golin e barazimit.
Kështu, debutimi i trajnerit italian në stolin kuqezi u mbyll me një humbje minimale, ndërsa Shqipëria do të synojë reagim dhe përmirësim në ndeshjet e ardhshme.
foto:kosovapress
