UBT News

Shqipëria mirëpriti Kongresin Botëror të Mundjes

Shqipëria ka mirëpritur me entuziazëm Kongresin Botëror të Mundjes, i cili u zhvillua në Shijak, ku morën pjesë mbi 200 delegatë nga 117 shtete të ndryshme të botës. Ky kongres kishte si qëllim diskutimin e sfidave dhe objektivave të sportit të mundjes në nivel global.

Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i United World Wrestling, Nenad Laloviç, i cili e nisi me një urim të ngrohtë për medaljet e para Olimpike të Shqipërisë në Paris, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për vendin.

Në fjalimin e tij, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, vlerësoi mbështetjen e Federatës Botërore, duke theksuar kontributin e veçantë të presidentit Laloviç për organizimin e garave botërore në Tiranë dhe zhvillimin e këtij kongresi. Ylli shprehu falënderime të veçanta edhe për presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes dhe për tre mundësit që përfaqësuan Shqipërinë në Lojërat Olimpike.

Kongresi u përshëndet gjithashtu nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili theksoi rëndësinë e këtij eventi për promovimin e mundjes në Shqipëri dhe për të forcuar lidhjet me komunitetin ndërkombëtar.

Një nga pikat kyçe të këtij kongresi ishte zgjedhja e anëtarëve të Byrosë, që do të udhëheqin organizatat dhe aktivitetet e mundjes në të ardhmen. Kjo ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të mundjes në Shqipëri dhe për forcimin e pozicionit të vendit në arenën ndërkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version