Kombëtarja shqiptare e futbollit udhëtoi pasditen e djeshme drejt Pragës në përgatitje për ndeshjen kundër Ukrainës, e cila do të luhet të shtunën më 7 shtator në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.
Sipas burimeve, me skuadrën kanë udhëtuar të gjithë lojtarët e grumbulluar. Pas mbërritjes në Pragë, kuqezinjtë u akomoduan menjëherë në hotel. Para nisjes nga Tirana, paradite, trajneri Silvinjo zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore me skuadrën. Grupi gëzon shëndet të plotë dhe asnjë nga futbollistët nuk ka shfaqur shqetësime shëndetësore.
Sot pasdite, braziliani Silvinjo do të mbajë një konferencë për shtyp dhe më pas do të zhvillojë një seancë të fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes. Kjo seancë ka për qëllim të mbajë muskujt në tonus dhe të përgatit skuadrën për ndeshjen.
Formacioni i mundshëm:
Për shkak të dy mungesave në prapavijë, të cilat janë ato të Gjimshiti dhe Ajeti, Silvinjo do t’ua besojë qendrën e mbrojtjes Marash Kumbullës dhe Ardian Ismajlit. Ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve pritet të jenë ata që luajtën titullar në ndeshjen kundër Kroacisë në Kampionatin Europian.
Në portë do të qëndrojë Tomas Strakosha. Kumbullën dhe Ismajlin do t’i shoqërojë në mbrojtje Elseid Hysaj nga krahu i djathtë dhe Mitaj nga krahu i majtë. Para mbrojtjes do të jetë treshja e mesfushës me Ylber Ramadanin, Kristjan Asllanin dhe Qazim Laçin, i cili ka spostuar Nedim Bajramin në krahun e majtë.
Pritet një ndeshje e fortë dhe një përfaqësim i denjë nga skuadra kuqezi në këtë sfidë të rëndësishme./UBTNews/