Një ndeshje vendimtare në garën për vendin e dytë në Grupin I të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” do të zhvillohet sot në Tiranë, ku në stadiumin “Air Albania” do të përballen Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Polonisë.
Në xhiron e fundit të zhvilluar, Shqipëria si mysafire mposhti me rezultat minimal 1:0 Hungarinë, kurse Polonia rikthehet nga fitorja 5:0 kundër San Marinos.
Të dy kombëtaret kanë zhvilluar nga shtatë ndeshje, ku Shqipëria ka regjistruar pesë fitore dhe dy humbje, kështu duke u pozicionuar në vendin e dytë me 15 pikë, kurse në anën tjetër Polonia ka katër fitore, dy barazime dhe një humbje, dhe zë vendin e tretë me gjithsej 14 pikë.
Shqipëria dhe Polonia janë përballur nëntë herë mes vete, ku shtatë fitore ka Polonia dhe dy herë janë ndarë me barazim.
Sa i përket mungesave, në ndeshjen e sotme për Shqipërinë do të mungojnë Berat Djimsiti dhe Endri Cekici, kurse te Polonia nuk do të paraqitet mesfushori i Torinos Karol Linetty.
Formacionet e mundshme të dy kombëtareve i gjeni më poshtë:
Shqipëria (3-4-3): Berisha; Kumbulla, Veseli, Ismajli; Hysaj, Gjasula, Bare, Trashi; Bajrami; Broja, Cikalleshi
Polonia (3-4-1-2): Szczesny; Glik, Bednarek, Dawidowicz; Bereszynski, Klich, Moder, Jozwiak; Zielinski; Piatek, Lewandowski
20:45 Shqipëria – Polonia (Stadiumi Air Albania)