UBT News

Shqipëria hap sot dhe 4 kapituj të rinj në negociatat me BE-në

Shqipëria sot hap edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky ishte lajmi që në mëngjes e ndau kryeministri shqiptar, Edi Rama me ndjekësit e tij në Facebook.

Ai ka shkruar se 4 kapitujt e tjerë të negociatave që pritet të hapen sot i shtohen 24 kapitujve të tjerë të hapur në vetëm 11 muaj.

Sipas tij ky është një ritëm rekord.

“Dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Me ftesë të Presidencës daneze të BE-së, në Bruksel mbahet sot Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.

Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE i kushtohet grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Konferenca Ndërqeveritare është planifikuar të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 pasuar nga mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në orën 10:00.

Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama.

Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm” si dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”./S.K/EO/

Exit mobile version