Një kundërshtar nga Amerika Latine për Kombëtaren shqiptare në muajin mars. Mësohet se kuqezinjtë e Sylvinhos do të përballen me skuadrën e Kilit, me shumë gjasa më 22 mars, 4 ditë para miqësores tjetër ndaj Suedisë, e planifikuar për t’u zhvilluar në Stokholm më 26 mars.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo kiliane kanë rënë parimisht dakord për miqësoren, teksa janë duke u diskutuar detajet e fundit para se të firmoset marrëveshja dhe të vijë zyrtarizimi.
Kili do të grumbullohet pikërisht në Europë në muajin mars, pasi më datën 26 ka planifikuar një miqësore me Francën dhe opsioni i përballjes me Shqipërinë e Sylvinhos është më se i përshtatshëm për amerikano-jugorët.
FSHF mësohet se po këmbëngul që miqësorja të zhvillohet në “Air Albania”, ndryshe nga Kili që preferon një stadium neutral në Europë, megjithatë gjasat janë që palët në gjejnë gjuhën e përbashkët edhe në këtë pikë./UBTNews/