Administrata Doganore e Shqipërisë ka dorëzuar zyrtarisht pranë Komisionit Evropian paketën e plotë të dokumentacionit për përmbushjen e kushteve përmbyllëse në kuadër të Kapitullit 29 “Bashkimi doganor”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aderimit të vendit në familjen e madhe evropiane.
Administrata Doganore përgatiti dhe dorëzoi kalendarin legjislativ dhe tabelat e konformitetit me acquis të BE-së; strategjitë kryesore të administratës në fushat e biznesit, burimeve njerëzore dhe trajnimit; masat për rritjen e integritetit dhe performancës së strukturës doganore; planin kombëtar shumëvjeçar për sistemet IT dhe masat për ndërveprimin me sistemet e BE-së; informacion mbi ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit; raportin vjetor “Libri Jeshil-Dogana 2024 dhe Prioritetet 2025”, i botuar për të katërtin vit radhazi.
Administrata Doganore thotë se mbetet e angazhuar për të vijuar përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Kapitullit 29, duke garantuar përafrimin legjislativ, forcimin e kapaciteteve administrative, avancimin e sistemeve digjitale doganore dhe thellimin e bashkëpunimit me BE në luftën kundër tregtisë së paligjshme.
“Ky është një moment historik që i shërben jo vetëm integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe ndërtimit të një administrate moderne, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve e biznesit”, thuhet në postimin e ADSH-së në Facebook./D.B/KP