Sot, 20 vite më parë, Shqipëria zhvilloi një ndeshje historike përballë Greqisë, një sfidë që do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve. Më 4 Shtator 2004, kombëtarja shqiptare u ndesh me atë greke në Tiranë, me grekët që vinin si kampionë të Europës.
Shqipëria fitoi me rezultatin 2-1 në një ndeshje që u festua anembanë botës. Por kjo datë është e veçantë edhe për një ngjarje tragjike që ndodhi pas saj. Gramoz Palushi, një tifoz shqiptar i vetëm 20 vjeç, kishte dalë në rrugët e Zakynthos në Greqi, i mbështjellë me flamurin kuqezi, për të festuar këtë triumf historik. Festimi i tij u kthye në një tragjedi kur Palushi u sulmua me thikë nga një shtetas grek dhe humbi jetën në vend.
Në këtë datë, tifogrupi besnik i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ), përkujtojnë Gramoz Palushin. Në faqen e tyre zyrtare, ata kanë postuar një foto të Palushit dhe e kanë shoqëruar me shkrimin: “Gjithmonë me ne, Gramoz!” duke nderuar kujtimin e tij dhe duke ruajtur përjetësisht simbolikën e tij në zemrat e tifozëve shqiptarë./UBTNews/