Ka përfunduar edicioni i sivjetmë i Marché du Film në Kanë, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së filmit, ku Shqipëria dhe Kosova janë prezantuar me një stendë të përbashkët përmes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Gjatë ditëve të panairit, përfaqësuesit e të dy institucioneve kanë zhvilluar një sërë takimesh me institucione të filmit, producentë dhe përfaqësues të rëndësishëm të industrisë globale audiovizuale. Në këto takime është diskutuar edhe ligji i ri shqiptar për kinematografinë dhe audiovizualin, i cili ka ngjallur interes të konsiderueshëm tek partnerët ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrja e përbashkët në këtë aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e prezencës së Shqipërisë në hartën globale të filmit, përmes nxitjes së bashkëprodhimeve dhe projekteve të reja.
Në përmbyllje të aktivitetit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka falënderuar të gjithë partnerët dhe kineastët që kanë vizituar stendën shqiptaro-kosovare gjatë zhvillimit të Marché du Film në Kanë.
