Shorti për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026 do të hidhet më 13 dhjetor 2024, dhe ndeshjet e para janë planifikuar për të filluar në mars të vitit të ardhshëm. Ky proces do të përcaktojë se cilat ekipe do të kualifikohen për në turneun prestigjioz që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Evropa ka siguruar 16 vende përfaqësuese për këtë botëror, duke e ndarë kualifikimin në 12 grupe. Fituesit e grupeve do të kalojnë direkt në Kampionatin Botëror, ndërsa të gjithë nënkampionët do të kenë mundësinë të luajnë në një play-off, së bashku me katër skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve.
Vazot për shortin kualifikues do të përcaktohen pas përfundimit të ndeshjes së fundit të Ligës së Kombeve, dhe deri tani, 38 nga 54 vendeve kanë marrë informacione në lidhje me skuadrat me të cilat do të jenë në short.
Kombëtaret e Kosovës dhe Shqipërisë janë të sigurta në cilat vazo do të përfshihen. Kosova ndodhet në vazon e katërt, ndërsa Shqipëria në vazon e tretë, duke krijuar mundësinë që të dyja ekipet të bien në të njëjtin grup.
Në vazon e parë, pritet të jenë disa nga kombëtaret më të forta në Evropë, si Franca, Spanja, Anglia, Belgjika, Holanda, Portugalia, Italia, Gjermania dhe Kroacia. Vazo e dytë ka katër përfaqësuese të sigurta: Ukraina, Turqia, Suedia dhe Uellsi.
Në vazon e tretë janë Republika e Irlandës, Finlanda, Gjeorgjia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Islanda, Irlanda e Veriut dhe Mali i Zi. Vazo e katërt është pothuajse e plotë dhe përfshin Luksemburgun, Bjellorusinë, Armeninë, Kosovën, Kazakistanin, Azerbajxhanin, Estoninë, Qipron, Letoninë, Ishujt Faroe dhe Lituaninë.
Po ashtu, është e njohur edhe vazo e pestë, që përfshin Moldavinë, Maltën, Andorrën, Gjibraltarin, Lihtenshtajnin dhe San Marinon.
Kombëtaret nga Liga A e Ligës së Kombeve që arrijnë në çerekfinale do të jenë pjesë e grupeve kualifikuese me katër skuadra, ndërsa grupet e tjera do të përmbajnë nga pesë skuadra.
Pritjet janë të mëdha për të dyja kombëtaret, dhe një përballje mes Shqipërisë dhe Kosovës në eliminatoret e Botërorit do të ishte një moment emocionues për tifozët e futbollit në rajon./UBTNews/