UBT News

Shqipëria: Destinacioni i Turizmit Evropian – Takimi i 70-të i UNWTO

Shqipëria po përjeton një moment historik, si vend pritës për herë të parë të Takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO). Kjo ngjarje jo vetëm që shënon një rëndësi të veçantë për fushën e turizmit, por gjithashtu përfaqëson një organizim të nivelit të lartë të kësaj organizate që për herë të parë zhvillohet në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ka promovuar me entuziazëm këtë ngjarje në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një mundësi për të rritur profilin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Me ndjesinë e entuziazmit të Shqipërisë Turistike, ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen delegacioneve të Komisionit për Evropën të UNWTO, Tiranën do ta kthejmë në një pol dinamik të eventeve dhe do të ngritim promovimin e Shqipërisë në një nivel tjetër”, shprehet Rama.

Pritja e delegacioneve të UNWTO u zhvillua pasditen e së dielës, ku përfaqësuesit nga 40 vende të Evropës mbërritën në Shqipëri. Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism, Natalia Bayona, si dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe përfaqësues të lartë të këtij sektori ishin të pranishëm në këtë pritje.

Sipas agjendës së publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, mbledhja e 70-të e Komisionit për Evropën të UNWTO do të mbahet sot më datë 8 prill, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Në datën 9 prill, është planifikuar që të zhvillohet një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi. Gjatë kësaj konference, përmes një ceremonie zyrtare do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Ky event është një bashkëpunim midis Organizatës Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, dhe synon të prezantojë mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit në vendin tonë.

Në parashikimet e saj, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bëri të ditur se në muajin mars, numri i vizitorëve të huaj arriti një rekord të ri, duke shënuar një rritje prej 91% në krahasim me vitin e kaluar. Ky tregues pozitiv theksohet si një shenjë e rritjes së interesit ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik.

Me këtë ngjarje të rëndësishme për fushën e turizmit, Shqipëria synon të kthehet në një kryeqendër të turizmit europian. Takimi i Komisionit për Evropën i UNWTO do të jetë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, duke hapur dritën për një të ardhme të ndritshme për industrinë e turizmit./UBTNews/

Exit mobile version