Teatri Kombëtar hap sezonin e ri me komedinë “Kërkohet një tenor”, nën regjinë e Armand Borës.
Kjo komedi është shkruar nga dramaturgu amerikan Ken Ludwig, autor i dhjetëra veprave, mes të cilave spikat edhe muzikali i suksesshëm Crazy for You, me muzikë nga Gershwin.
“Kërkohet një tenor” cilësohet si një nga krijimet më të arrira dhe argëtuese të Ludwig.
Ajo u shfaq për herë të parë në Londër në vitin 1986 dhe më pas qëndroi në Broadway për 14 muaj me radhë.
Për publikun tiranas, shfaqja do të ngjitet në skenë më 18, 19, 20 dhe 21 shtator, në sallën Centrali 400 pranë ArTurbinës.
Ngjarja vendoset në vitet ’30, brenda një dhome ndenjeje. Vetë titulli është një lojë fjalësh: në anglisht, Lend me a tenner (“Më jep një dhjetëshe”) shndërrohet në Lend me a tenor, duke i dhënë komedisë një kuptim të dyfishtë.