UBT News

Shqipëri: Miratohet buxheti i 2026 në vlerë 8.8 miliardë euro

Parlamenti në Shqipëri ka miratuar buxhetin e vitit 2026 pas një muaji diskutimesh në komisionet parlamentare, me 81 vota pro dhe 16 kundër. Gjatë shqyrtimit u paraqitën dhjetëra amendime nga deputetët për rritje fondesh në projekte të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk mori miratimin e shumicës.

Ministrja e Ekonomisë deklaroi se amendimet e propozuara nga opozita, të cilat kapnin shifrën 278.9 miliardë lekë, tejkalonin 10% të PBB-së dhe do të cenonin objektivat e konsolidimit fiskal. Në buxhet u përfshinë vetëm kërkesat e institucioneve të miratuara më herët në komisione, ku 12 prej tyre përfitojnë 504.9 milionë lekë shtesë, kryesisht në sektorin e drejtësisë, shkruan euronews.al.

Në total, rreth 886.7 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë euro, do të vihen në dispozicion për shërbimet shëndetësore, pagat, mbështetjen sociale, pensionet, arsimin, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë dhe sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

Vitin e ardhshëm parashikohet të zbatohet formula e re e rritjes së pensioneve, e cila do të përfshijë bonuse mujore. Për këto bono janë planifikuar 100 milionë euro, ndërsa 16.5 milionë euro do të përdoren për indeksim.

Buxheti parashikon gjithashtu rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë dhe indeksimin me 2.5% të pagave në administratën publike.

Investimet publike për vitin 2026 pritet të arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, nga 1.6 miliardë euro këtë vit. Ndërkohë, 13.5 miliardë lekë janë parashikuar për kompensimin e medikamenteve dhe 1.5 miliardë lekë për barnat onkologjike./S.K/KP/

 

Exit mobile version