Kina ka filluar atë që mund të jetë një zgjerim i rëndësishëm i forcës së saj bërthamore, ndërkohë që analistët thonë se arsyet pas kësaj mbeten ende të paqarta.
Pasi zbuluan një zonë në ndërtim e sipër për vendosjen e raketave, pranë Yumenit, në provincën Gansu, në qershor, ekspertët bërthamorë të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë (FAS) përdorën imazhet satelitore për të zbuluar ndërtimin e një zone të dytë, pranë Hamit, në rajonin veriperëndimor të Gansusë, Xinjiang.
“Ndërtimi i infrastrukturës në Yumen dhe Hami përbën zgjerimin më të rëndësishëm të arsenalit bërthamor të Kinës ndonjëherë”, shkruajnë ekspertët bërthamorë në raportin e tyre.
”Punimet në kantierin e dytë në Hami, rreth 380 kilometra në veriperëndim të zonës së parë në Yumen, filloi në mars, por nuk ka përparuar deri tani”, thanë ata.
Bazuar në punën përgatitore në kompleks, shkencëtarët vlerësojnë se do të jetë një rrjet me rreth 110 kapanone për vendosjen e raketave.
Sidoqoftë nuk dihet nëse të gjitha kapanonet do të jenë të pajisura me raketa.
Sipas vlerësimeve të FAS, Kina aktualisht ka rreth 350 koka bërthamore.
Në vitin 2020, Pentagoni foli për një numër rreth 200, por pret një dyfishim në 10 vitet e ardhshme.
Sidoqoftë, arsenali i Kinës është shumë më i vogël se ai i SHBA ose Rusisë, të cilat kanë respektivisht nga 4 000 koka bërthamore.