UBT News

Shpëtohet e gjallë 32-vjeçarja pas 36 orësh nën rrënoja nga tërmeti në Kolumbi

Një 32-vjeçare është shpëtuar e gjallë pasi mbeti e bllokuar për 36 orë nën rrënoja, si pasojë e tërmetit të fuqishëm prej 7.4 ballësh që goditi Kolumbinë perëndimore.

Daniela Largo u nxor nga gërmadhat e një ndërtese të shembur në qytetin Pereira, pas një operacioni kompleks që zgjati 10 orë. Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës arritën te ajo përmes një tuneli të hapur poshtë katër pllakave të rënda të betonit. Vendndodhja e saj u lokalizua falë një kamere të vogël, pasi një banor vendas dëgjoi thirrjet për ndihmë. Përmes një tuneli të parë të hapur nga lart ekipet i siguruan oksigjen, ndërsa përmes tunelit të dytë nga poshtë realizuan nxjerrjen e saj.

Shpëtimin e saj e ka përshëndetur edhe presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella, i cili e cilësoi ngjarjen si një “lajm që na mbush me shpresë”. Pas shpëtimit, Largo u shpreh e lehtësuar duke thënë se në shtëpi po e pret djali i saj 12-vjeçar.

Sipas të dhënave zyrtare, tërmeti tragjik ka lënë të paktën 188 të vdekur dhe qindra të tjerë të zhdukur. Bilancin më të rëndë e shënojnë qytetet Cali me 95 viktimë dhe Pereira me 79 të vdekur. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në terren për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë. /BBC/

Exit mobile version